Shpërndaje në: Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë bërë të ditur se të premten kanë siguruar dëshmi se i një nga të arrestuarit së fundmi në Zubin-Potok, ka qenë pjesë aktive e armatës jugosllave gjatë periudhës së luftës.
Në një njoftim për bastisje në lokacionin e të dyshuarit M.J. në Zubin-Potok, Policia dhe Prokuroria Speciale kanë bërë të ditur se kanë gjetur e sekuestruar dëshmitë.
“Policia e Kosovës në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ka vazhduar hetimet intensive lidhur me arrestimin e datës , të dy personave të dyshuar M.J. dhe M.B, për veprën penale ‘’Krime lufte kundër popullësisë civile’’ të sanksionuar sipas nenit 142 të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ) të ndodhur në Mitrovicë, ku me urdhër të Gjykatës Themelore sot është kryer bastisje në lokacionin e të dyshuarit M.J në Zubin Potok.
Gjatë bastisjes në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi nga të cilat dëshmohet se i dyshuari M.J ka qenë i mobilizuar dhe pjesë aktive gjatë periudhës së luftës në ish armatën Jugosllave”, thuhet në njoftim. Më 28 korrik, Policia pati bërë të ditur për arrestimin e M.J. dhe M.B. nën dyshimin për krime ndaj popullsisë civile më 1999.
Ata dyshohen për vrasjen e 23 civilëve shqiptarë. E po atë ditë në Zubin-Potok, në fshatin Kalludër e Vogël, nisën gërmimet në një lokacion ku dyshohej për ekzistimin e një varreze masive. Dyshimet janë se aty janë trupat e 23 intelektualëve nga Mitrovica, që ishin zhdukur me forcë gjatë luftës. Autoritetet tashmë kanë konfirmuar se aty janë gjetur mbetje mortore.
