Shpërndaje në: Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka emëruar Agron Limanin kryesues të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, pozitë që deri më tani mbahej nga ministri në detyrë i Punës, Andin Hoti.
Në një status në Facebook, Kurti ka thënë se me Limanin njihet prej më shumë se dy dekadash dhe kujtoi angazhimin e përbashkët në kërkim të drejtësisë për krimet e luftës, duke përmendur aksionin e vitit 2004 para zyrave të UNMIK-ut, kur u publikua lista me emrat e 56 personave të dyshuar për masakrën e Krushës së Vogël.
Sipas Kurtit, Limani është bashkautor i monografisë “Fshati i Vrarë”, kushtuar masakrës së Krushës së Vogël, e cila, siç tha ai, është përdorur si dëshmi nga institucionet e drejtësisë në rastin ku u dënua Darko Tasiq. “Gjatë luftës Limani ka qenë ushtar i UÇK-së, ndërsa familja e tij është prekur rëndë nga krimet e luftës.
Vëllai i tij është vrarë, ndërsa babai, axha dhe djali i axhës vazhdojnë të figurojnë në mesin e personave të zhdukur nga masakra e forcave serbe në Krushë të Vogël. Ai më herët ka drejtuar edhe Shoqatën për Hulumtimin e Personave të Rrëmbyer ‘26 Marsi 1999’ “, ka shkruar Kurti.
Kurti bëri të ditur se Limani është inxhinier i elektroteknikës me profesion dhe ka ushtruar edhe detyrën e drejtorit të Bujqësisë në Komunën e Prizrenit.
Edhe Arbëri 25 qer 2026 Sinanaj: Shoh politizim të skajshëm të çështjes së gazit, s’po u lihet ekspertëve Në shkrimin e tij, Kurti ritheksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, pavarësisht, siç u shpreh ai, pengesave dhe sabotimeve nga Serbia.
Ai ka thënë se gërmimet e fundit në Kalludër të Zubin Potokut janë rezultat i punës së institucioneve të Kosovës dhe përsëriti thirrjen për presion ndërkombëtar ndaj Serbisë që të zbatojë Deklaratën e 2 majit 2023 për personat e zhdukur, duke përfshirë hapjen e arkivave ushtarake, në veçanti të Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave.
