Për të katërtën ditë radhazi po vazhdojnë gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël e Zubin Potokut ku dyshohet për varrezë masive. KALLXO.com mëson se dje () janë gjetur disa mbetje mortore. Dyshohet se bëhet fjalë për “23 intelektualët” të cilët sipas rrëfimit të familjarëve për KALLXO.com janë zhdukur para 27 vitesh në këtë zonë.
Policia po kujdeset për sigurinë në vendin e dyshuar ku po bëhen ekzaminimet. Edhe organet e tjera përgjegjëse po qëndrojnë në vendin e ngjarjes. Ushtruesja e Presindentes së Kosovës, Albulena Haxhiu u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që t’i bëjnë presion Serbisë që t’i hapë arkivat.
Ndërsa, Kryeprokurori Blerim Isufaj ka theksuar se Prokuroria Speciale do të zbatojë procedura të paanshme dhe profesionale, siç tha ai, duke synuar respektimin ndaj viktimave dhe familjarëve të tyre. Gjykata e Prishtinës i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji dy të pandehurve me inicialet M.J. dhe M.B., të cilët dyshohen për krime lufte kundër popullatës civile.
Që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë vazhdojnë të jenë të zhdukur mbi 1,500 persona. Me 11 identifikimet që janë kryer në muajin mars 2025, aktualisht sipas Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit në Kosovë janë edhe 1,577 persona të cilët konsiderohen të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë. Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni KËTU .
