Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka njoftuar se ka emëruar Agron Limanin në postin e kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, detyrë që deri më tani mbahej nga ministri Andin Hoti.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se me Limanin njihet prej më shumë se dy dekadash, duke kujtuar se kanë organizuar bashkë aksione në kërkim të drejtësisë, përfshirë edhe protestën e vitit 2004 para zyrave të UNMIK-ut, ku u publikua lista me emrat e 56 personave të dyshuar për masakrën e Krushës së Vogël. Sipas Kurtit, Limani ishte arrestuar pas atij aksioni.
Kryeministri vlerësoi gjithashtu kontributin e Limanit si bashkautor i monografisë “Fshati i Vrarë”, kushtuar masakrës së Krushës së Vogël, duke theksuar se libri ka shërbyer si dëshmi për institucionet e drejtësisë në rastin ku u dënua Darko Tasiç. Postim i plotë: Sot kam emëruar z.
Agron Limani, Kryesues të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, pozitë në të cilën paraprakisht ka qenë ministri Andin Hoti.
Me Agronin njihemi prej më shumë se dy dekadash dhe bashkë kemi organizuar aksione në kërkim të drejtësisë, sikur ai i vitit 2004 para zyrave të UNMIK-ut kur publikuam listën me emrat e 56 kriminelëve të dyshuar për masakrën e Krushës së Vogël, aksion për të cilin ai ishte arrestuar.
Ai është bashkautor i monografisë “Fshati i Vrarë” për masakrën e Krushës së Vogël, libër i cili u ka shërbyer institucioneve të drejtësisë si dëshmi në rastin ku është dënuar Darko Tasiç. Gjatë luftës, Agroni ka qenë ushtar i UÇK-së, e ka të vrarë vëllain, ndërsa babai, axha dhe djali i axhës së tij, të tre, mbesin ende të zhdukur.
Ata janë në mesin e 60 personave të pagjetur nga masakra e forcave të armatosura të Serbisë në këtë fshat. Misioni i tij në kërkim të së vërtetës dhe drejtësisë kishte nisur me drejtimin e Shoqatës për Hulumtimin e Personave të Rrëmbyer “26 Marsi 1999”. Me profesion është inxhinier i elektroteknikës, ndërsa ka qenë edhe drejtor i Bujqësisë në Komunën e Prizrenit.
Përkundër pengesave dhe sabotimit të vazhdueshëm nga Serbia, ne jemi të përkushtuar dhe të palëkundur në përpjekjet tona në kërkim të së vërtetës, me qëllim zbardhjen e fatit të secilit prej më të dashurve tanë të zhdukur më dhunë gjatë luftës së fundit, si dhe vënien e drejtësisë në vend.
Ndërsa gërmimet e fundit në Kalludër të Zubin Potokut janë kryekëput rezultat i punës së institucioneve të Republikës së Kosovës, e përsërisim thirrjen për trysni ndërkombëtare që Serbia të zbatojë Deklaratën e 2 majit 2023 për personat e zhdukur me dhunë, në veçanti për hapjen e arkivave të forcave të saj, përfshirë këtu ndryshimin e vendimit për klasifikim 30 vjeçar, deri më 2044, përkatësisht hapjen e arkivës së Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave.
