​Dogana zbulon medikamente të padeklaruara në një autobus në PKK Dheu

0%

Dogana e Kosovës ka parandaluar një tentativë për futjen e medikamenteve të padeklaruara në territorin e Republikës së Kosovës, pas zbulimit të tyre gjatë një kontrolli të rregullt në Pikën e Kalimit Kufitar Dheu i Bardhë.

Sipas njoftimit të Doganës, rasti ka ndodhur më 30 korrik, kur gjatë kontrollit rutinor të një autobusi, zyrtarët doganorë kanë identifikuar një hapësirë të kamufluar në shkallët e automjetit.

Gjatë kontrollit të detajuar të kësaj hapësire janë gjetur disa pako të fshehura, të cilat fillimisht dyshohej se përmbanin çaj, por pas verifikimit është konstatuar se në to ndodheshin medikamente të padeklaruara. Sipas vlerësimeve paraprake, vlera e mallit të zbuluar arrin rreth 6 mijë euro.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Dogana bëri të ditur se para nisjes së kontrollit fizik, vozitësi i autobusit ishte pyetur nëse kishte mallra ose mjete monetare për t’i deklaruar, por kishte deklaruar se nuk posedonte asgjë për paraqitje pranë autoriteteve doganore. Për shkak të natyrës së mallit dhe rrethanave të rastit, autobusi është dërguar në terminalin doganor për kontroll të mëtejshëm.

Procedurat janë zhvilluar në bashkëpunim me Policinë Kufitare, ndërsa pas përfundimit të ekzaminimit janë ndërmarrë veprimet e parapara me legjislacionin në fuqi. Dogana rikujtoi se importi i medikamenteve i nënshtrohet kërkesave të veçanta ligjore dhe, varësisht nga lloji dhe sasia e tyre, mund të kërkojë autorizime dhe dokumentacion nga institucionet kompetente.

Në njoftim thuhet se mosdeklarimi ose fshehja e mallrave përbën kundërvajtje doganore dhe cenon sigurinë e zinxhirit të furnizimit, konkurrencën e ndershme dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

Dogana e Kosovës theksoi se do të vazhdojë zbatimin e ligjit dhe luftimin e kontrabandës, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, me qëllim mbrojtjen e interesave financiare të vendit dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve. / Telegrafi

Burimi: Telegrafi