Banorët që jetojnë pranë ish-Bazenit të Karagaçit në Pejë kanë ngritur shqetësimin për gjendjen e rënduar të këtij objekti, duke thënë se prej vitesh është lënë pas dore dhe tashmë është shndërruar në një moçal që po ua vështirëson jetën e përditshme.
Në një mesazh të dërguar në adresë të Gazetës Sinjali, një banor, i cili ka kërkuar të mbetet anonim, thotë se ish-bazeni, i cili ndodhet vetëm pak metra larg shtëpive, ka më shumë se nëntë vjet që nuk është funksional dhe çdo verë mbushet me ujë të papastër.
Sipas tij, gjendja ka krijuar kushte për shumimin e bretkosave dhe insekteve, ndërsa zhurma gjatë natës dhe era e rëndë po ua bëjnë të pamundur banorëve të pushojnë normalisht. “Çdo verë bazeni mbushet me ujë të papastër dhe është kthyer në moçal.
Natën nuk mund të flemë nga zhurma e bretkosave, ndërsa insektet janë shtuar aq shumë sa detyrohemi t’i mbajmë dritaret mbyllur”, thuhet në ankesën e dërguar në Sinjali. Banorët pretendojnë se kanë kërkuar ndërhyrjen e Komunës së Pejës prej vitesh, por, sipas tyre, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë masë konkrete për pastrimin dhe mirëmbajtjen e hapësirës.
Ata kërkojnë që institucionet kompetente të inspektojnë gjendjen në terren dhe të ndërhyjnë sa më parë për pastrimin e zonës, trajtimin kundër insekteve dhe gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë për ish-bazenin. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
