Drejtoria për Emergjencë dhe Siguri e Komunës së Prizrenit u ka bërë thirrje të gjithë banorëve të ndërtesave shumëkatëshe që të mbajnë të lira dhe plotësisht të kalueshme shkallët kundër zjarrit, duke theksuar se kjo është detyrim ligjor dhe një masë jetike për sigurinë e qytetarëve.
Sipas njoftimit, bazuar në Ligjin nr. 08/L-261 për Mbrojtjen nga Zjarri të Republikës së Kosovës dhe dispozitat e tjera në fuqi, shkallët kundër zjarrit duhet të jenë të lira në çdo kohë për të mundësuar evakuimin e shpejtë dhe ndërhyrjen e ekipeve të zjarrfikësve në raste emergjente.
Drejtoria thekson se vendosja e biçikletave, mobilieve, materialeve ndërtimore apo sendeve të tjera në këto hapësira përbën rrezik serioz për sigurinë e banorëve dhe mund të pengojë intervenimin e shërbimeve të shpëtimit në situata kritike.
Për këtë arsye, banorët dhe administratorët e ndërtesave ftohen që menjëherë të largojnë të gjitha pengesat nga shkallët kundër zjarrit dhe hapësirat e evakuimit. Po ashtu, është bërë e ditur se inspektorët kompetentë do të zhvillojnë kontrolle në objektet banesore, ndërsa ndaj personave përgjegjës që nuk respektojnë kërkesat ligjore do të ndërmerren masat e parapara me ligj.
“Shkallët kundër zjarrit nuk janë hapësirë për deponim – ato shpëtojnë jetë”, ka theksuar drejtori i Drejtorisë për Emergjencë dhe Siguri në Komunën e Prizrenit, Sead Arifi.
