“Vendlindja ime është tani në Google Maps Street View”, Dua Lipa

0%

Dua Lipa ka publikuar në llogarinë e saj në Instagram një video të veçantë kushtuar Prishtinës, përmes së cilës promovon kryeqytetin e Kosovës dhe njofton se ai tashmë mund të eksplorohet edhe nëpërmjet Google Maps Street View. Në përshkrimin e videos, artistja shkruan: “Mirë se vini në Prishtinë!

Sot është dita e parë e Sunny Hill Festival dhe, për ta festuar këtë, të gjitha restorantet, arkitektura dhe kultura që unë i dua tani mund të eksplorohen në Google Maps Street View”. Në video, Dua Lipa flet për lidhjen e saj të veçantë me qytetin ku u rrit dhe i fton të gjithë ta zbulojnë Prishtinën përmes syve të saj.

“Asnjëherë nuk mund ta njohësh një vend derisa ta shohësh me sytë e tu. Vendlindja ime, Prishtina, është tani në Google Maps Street View”, shprehet këngëtarja në fillim të videos. Më pas, ajo prezanton disa prej vendeve që kanë një domethënie të veçantë për të. Njëra prej ndalesave është libraria Dukagjini, të cilën e viziton sa herë ndodhet në Prishtinë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas saj, aty gjen gjithmonë një libër në gjuhën shqipe që nuk e ka lexuar më parë. Artistja ndalet gjithashtu në disa restorante dhe bare të qytetit, për të cilat thotë se pasqyrojnë në mënyrën më të mirë kulturën shqiptare, por edhe jetën, energjinë dhe atmosferën karakteristike të Prishtinës.

Në fund të videos, Dua Lipa i kushton vëmendje edhe Sunny Hill Festival, të cilin e cilëson si një ëndërr të bërë realitet. Ajo e prezanton festivalin si një nga vendet që mishëron frymën e qytetit dhe që çdo vit mbledh mijëra vizitorë e artistë nga vende të ndryshme.

Publikimi i videos përkon me nisjen e edicionit të sivjetmë të Sunny Hill Festival, duke promovuar njëkohësisht Prishtinën, kulturën e saj dhe mundësinë që tashmë kryeqyteti të eksplorohet virtualisht përmes Google Maps Street View. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com