Lidhja Demokratike e Kosovës pret që seanca e 6 gushtit të përmbyllet me konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Kështu u shpreh të premten përfaqësuesja e këtij subjekti politik, Jehona Lushaku pas takimit konsultativ me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu për formimin e institucioneve.
“Jemi dakorduar që të procedojmë në bazë të rregullores së punës edhe në bazë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Insistojmë që seanca konstituive duhet të ndodhë me datën 6 dhe të përmbyllet procesi i konstituimit të Kuvendit, me qëllim që Kosova të ketë institucione funksionale dhe të, ta kthejmë funksionalitetin institucional të shtetit tonë.
Dhe me qëllim që të mos bëhet asnjë vonesë, ne synojmë që Kuvendi të ketë, të konstituohet në datën e caktimit të, dhe thirrjes së seancës”, deklaroi ajo. E pyetur nëse LDK-ja pret rikthimin e takimeve me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit, Lushaku tha se aktualisht nuk ka ndonjë ftesë, por nuk e përjashtoi mundësinë e vazhdimit të dialogut.
Sa i përket asaj që a pritet një unifikim brenda Grupit parlamentar të LDK-së ajo tha se angazhimi i partisë duhet të jetë në funksion të themelimit të institucioneve të reja dhe se Grupi Parlamentar do të veprojë në përputhje me këto orientime. “LDK-ja kishte Kuvendin e jashtëzakonshëm dje, ku me një rezultat e rikonfirmoi kryetarin Abdixhiku për ta vazhduar mandatin e tij deri në fund.
Po ashtu u miratua një deklaratë politike, në të cilën u përcaktua se angazhimi i LDK-së dhe i deputetëve duhet të jetë në funksion të bërjes së institucioneve. Grupi parlamentar do të jetë në harmoni me këtë deklaratë, sepse Kuvendi i LDK-së është organi më i lartë që përcakton orientimet strategjike të partisë”, tha ajo.
Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së, këto janë vendimet e miratuara Ajo foli edhe lidhur me raportimet për largime nga LDK-ja pas zhvillimeve të fundit në parti. Tha se mund të ketë vendime individuale në nivele të caktuara organizative, por se nuk sheh ndonjë fenomen të tillë në LDK.
“Jo, tani dorëheqje eventuale, ndonjë nëndegë, kryetari i nëndegëve mund të ketë, por kjo është krejt vendim individual i secilit. Nuk kemi vërejtur asnjë fenomen që është i pranishëm tani në, në parti. Ju e dini që LDK-ja është partia më demokratike që ka një dialog të brendshëm dhe një ushtrim të demokracisë me votim të fshehtë, është e vetmja parti në Kosovë.
Ju e dini që brenda këtyre katër viteve disa herë kemi thirrur kuvende për çështje për t’i përcaktuar këto dhe në mënyrën më demokratike me votim të fshehtë i kemi nënshtruar votimit dhe jemi përcaktuar pastaj për votimin e shumicës. Ky është parim kryesor në demokraci, ku pjesa tjetër pastaj pajtohet me vendimin e shumicës, se ky është parim elementar në demokraci”, tha ajo. /kp
