Bayerni i thotë publikisht tre lojtarëve që të largohen, ose “nuk do

0%

Bayern Munihu ka nxjerrë në shitje tre futbollistë, të cilëve u është bërë e qartë se nuk do të kenë minuta nëse nuk largohen nga klubi. Skuadra e drejtuar nga Vincent Kompany është kampione në fuqi e Bundesligës dhe sezonin e kaluar arriti deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, duke zhvilluar një futboll sulmues dhe spektakolar.

Merkatoja verore e bavarezëve ka qenë relativisht e qetë, me mbrojtësin e majtë Nathaniel Brown dhe sulmuesin Ismael Saibari si dy afrimet kryesore. Tashmë, pasi nuk priten më transferime në hyrje, fokusi i klubit është te largimi i disa lojtarëve përpara mbylljes së afatit kalimtar.

Presidenti i nderit i Bayernit, Uli Hoeness, hodhi poshtë zërat se ylli Michael Olise mund të largohet nga klubi, pavarësisht interesimit të madh nga Real Madrid. “Ai ka ende tre vite kontratë, prandaj për mua kjo çështje nuk ekziston fare. Edhe sikur Perandori i Kinës të vinte për ta kërkuar, ne nuk do të uleshim të bisedonim. E njëjta gjë vlen edhe për Luis Diaz.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ne kemi treshen më të mirë sulmuese në botë me Olise, Diaz dhe Kane. Nuk e mendojmë fare shitjen e ndonjërit prej tyre ”, deklaroi Hoeness. Megjithatë, drejtori sportiv Max Eberl ka bërë të ditur se tre futbollistë të tjerë nuk bëjnë pjesë në planet e klubit. Bëhet fjalë për mbrojtësin e djathtë Sacha Boey, mesfushorin Joao Palhinha dhe anësorin Bryan Zaragoza.

Palhinha e kaloi sezonin 2025/26 në huazim te Tottenhami dhe shënoi golin e vetëm në fitoren 1-0 ndaj Evertonit në javën e fundit, rezultat që siguroi mbijetesën e Spurs në Premierligë. Pritej që mesfushori portugez të transferohej përfundimisht te Tottenhami, por marrëveshja nuk u arrit, ndërsa londinezët më pas transferuan Sandro Tonalin nga Newcastle për 100 milionë funte.

Nga ana tjetër, Sacha Boey ishte i huazuar te Galatasaray, ndërsa Bryan Zaragoza luajti te Roma. Të tre janë rikthyer te Bayerni në fillim të fazës përgatitore. “Kemi tre lojtarë që jemi të hapur t’i lëmë të largohen. Ata nuk kanë të ardhme te Bayerni. Nëse duan të qëndrojnë, do ta kenë shumë të vështirë, sepse nuk bëjnë pjesë në planet tona. Në atë rast nuk do të kenë rol në ekip.

Kjo vlen për Sacha Boey, Joao Palhinha dhe Bryan Zaragoza”, deklaroi Eberl. Sipas gazetarit të “ESPN Brasil”, Bruno Andrade, Newcastle është i interesuar të transferojë Palhinhan si zëvendësues të Bruno Guimaraes. Raportohet se Arsenali ka arritur marrëveshje për transferimin e kapitenit të Newcastle për rreth 77 milionë funte, pasi dy oferta të mëparshme ishin refuzuar.

Newcastle po kalon një verë të vështirë pas largimit të trajnerit Eddie Howe dhe, pasi ka shitur edhe Sandro Tonalin dhe Anthony Gordon, është në kërkim të përforcimeve para nisjes së sezonit të ri në Premierligë. Nëse transferohet, Newcastle do të ishte klubi i tretë i Joao Palhinhas në Premierligë, pasi 31-vjeçari portugez më parë ka luajtur për dy sezone me Fulhamin.

Burimi: Bota Sot