Një përplasje verbale ka ndodhur në mbledhjen e rregullt të Kuvendit e Pejës, të mbajtur sot. Kjo përplasje ndodhi në mes asamblistit të AAK-së, Shaban Ramaj dhe atij të LDK-së, Atdhe Berisha, çka çoi në ndërprerjen e seancës.
Në rendin e ditës të kësaj mbledhjeje ishin paraparë shqyrtimi dhe miratimi i disa pikave, përfshirë buxhetimin e Komunës së Pejës dhe pjesëmarrjen e fermerëve përfitues në projektin për furnizim me 65 traktorë; raportin gjashtëmujor të punës së kryetarit të komunës; raportin financiar për periudhën janar-qershor 2026; raportin e auditimit për vitin 2025; si dhe raportin e Drejtorisë Komunale të Arsimit për përfundimin e vitit shkollor – testin e arritshmërisë dhe testin e maturës.
Përplasja ndodhi në fund të seancës, derisa asamblisti i AAK-së, Drin Veselaj, po mbante fjalën në foltoren e kuvendit. Pas përfundimit të kohës së tij për diskutim, sipas pamjeve të transmetimit të seancës, nisën tensionet mes asamblistëve Shaban Ramaj dhe Atdhe Berisha. Në momentin e ngritjes së tensioneve, transmetimi i drejtpërdrejtë i seancës është ndërpre.
Pas këtyre zhvillimeve ende s’ka pasur një reagim publik nga të lartcekurit apo nga Komuna e Pejës për të dhënë detaje se çka në fakt ndodhi. Ndërsa nga Policia e Kosovës për rajonin e Pejës kanë bërë të ditur se ende s’kanë pranuar ndonjë informacion për një rast të tillë të ndodhur sot në Kuvend Komunal
