Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Arian Gashi, ka zhvilluar një takim pune me Kryetarin e Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), Av. Besnik R. Berisha dhe Zëvendëskryetarin e OAK-së, Av. Naim Rudari, ku në qendër të diskutimeve ishte Draft-Udhëzimi Administrativ për Procedurat e Kompensimit të Mbrojtësve me Shpenzime Publike.
Në takim mori pjesë edhe anëtari i Komisionit për Çështje Normative të KPK-së, Valdrin Krasniqi. Sipas KPK-së, takimi u zhvillua në kuadër të përpjekjeve për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe avancimin e sistemit të drejtësisë.
Kryesuesi Arian Gashi vlerësoi rolin e Odës së Avokatëve të Kosovës dhe theksoi se bashkëpunimi me avokatinë është i domosdoshëm për rritjen e efikasitetit, transparencës dhe funksionalitetit të sistemit prokurorial.
Gjatë takimit u diskutuan propozimet dhe vërejtjet e paraqitura nga Oda e Avokatëve lidhur me draftin e udhëzimit administrativ, me synimin që zgjidhjet e propozuara të krijojnë një kuadër të qartë, funksional dhe të zbatueshëm për kompensimin e mbrojtësve me shpenzime publike.
Nga ana e saj, Oda e Avokatëve e cilësoi takimin si të zhvilluar në një atmosferë të hapur, konstruktive dhe bashkëpunuese, duke theksuar se dialogu institucional dhe proceset konsultative janë thelbësore për hartimin e akteve normative që ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e sistemit të drejtësisë. Kryetari i OAK-së, Besnik R.
Berisha, shprehu mirënjohjen për gatishmërinë e KPK-së për dialog dhe bashkëpunim, ndërsa ritheksoi përkushtimin e Odës për të ofruar ekspertizën profesionale në proceset që lidhen me përmirësimin e legjislacionit dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Takimi u përmbyll me riafirmimin e përkushtimit të të dy institucioneve për vazhdimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me synim avancimin e sistemit të drejtësisë dhe ofrimin e një shërbimi sa më cilësor për qytetarët. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
