Skandali i radhës në Serbi – arrestohet një person pasi dyshohet se

0%

Autoritetet serbe kanë arrestuar një person me origjinë nga Istogu, nën dyshimin për veprën penale “spiunazh”, duke pretenduar se ai ka bashkëpunuar me një shërbim informativ që vepron në Kosovë.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB), pjesëtarët e Shërbimit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit (SBPOK), në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Kriminale, Prokurorinë e Lartë Publike në Kraljevë dhe Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit (BIA), kanë arrestuar në territorin e Kraljevës R.T., i lindur në vitin 1980.

MPB-ja serbe pretendon se i dyshuari ka qenë për një periudhë të gjatë në “marrëdhënie bashkëpunimi” me një shërbim informativ shqiptar që vepron në territorin e Kosovës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas autoriteteve serbe, R.T. dyshohet se ka mbledhur dhe ka dorëzuar informacione për aktivitetet e pjesëtarëve aktualë dhe ish-pjesëtarëve të Ushtrisë së Serbisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe strukturave të tjera të sigurisë së këtij vendi.

Në njoftim thuhet gjithashtu se informacionet e mbledhura, sipas pretendimeve të policisë serbe, kanë çuar në arrestimin e disa personave me përkatësi etnike serbe nga institucionet në Prishtinë, si dhe në largimin e një numri serbësh nga zona e Zubin Potokut dhe veriu i Kosovës.

Këto pretendime janë bërë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe deri tani nuk janë konfirmuar nga një vendim gjyqësor. Pas marrjes në pyetje, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë. Pas përfundimit të këtij afati, ai pritet të paraqitet para Prokurorisë së Lartë Publike në Kraljevë, e cila do të vendosë për hapat e mëtejshëm ligjorë.

Burimi: Telegrafi