Një person me pesë identitete, arrestohet i dyshuari në Prishtinë –

0%

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, respektivisht me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), si dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar të zbatimit të ligjit, ka zhvilluar një operacion, i cili ka rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e një personi të dyshuar për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.

Sipas Prokurorisë rasti ka filluar më , kur një person me inicialet B.K., është paraqitur në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC) për të vazhduar dokumentet e identifikimit me të cilat ishte pajisur vite më parë.

“Gjatë procedurave të verifikimit, zyrtarët kompetentë kanë konstatuar se identiteti i paraqitur i përkiste një personi të ndjerë prej shumë vitesh, duke ngritur dyshime se identiteti ishte keqpërdorur. Pas ndërmarrjes së veprimeve të para hetimore, i dyshuari është shoqëruar në Polici dhe është intervistuar në prani të mbrojtësit të tij.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ai ka shfrytëzuar të drejtën ligjore për të mos u deklaruar. Me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë, ndërsa më pas Gjykata kompetente ka caktuar masën e paraburgimit”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se me qëllim të verifikimit të identitetit të tij të vërtetë, Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë iniciuar bashkëpunim të menjëhershëm policor ndërkombëtar përmes Interpolit dhe Europolit, duke shpërndarë të dhënat e tij, përfshirë edhe gjurmët e gishtërinjve.

Ndërkaq, nga informacionet e pranuara përmes kanaleve zyrtare të bashkëpunimit ndërkombëtar me autoritetet e Gjermanisë, Francës, Austrisë, Belgjikës, Shqipërisë, Hungarisë dhe shteteve të tjera partnere, është konfirmuar se i dyshuari ka përdorur pesë identitete të ndryshme, kryesisht të lidhura me Greqinë, Shqipërinë dhe Kosovën, me të cilat kishte vepruar dhe lëvizur në disa shtete evropiane.

“Si rezultat i hetimeve të mëtejshme dhe bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet e Gjermanisë dhe Shqipërisë, është bërë i mundur identifikimi i identitetit të tij autentik. Është konfirmuar se personi i ndaluar është shtetas i Republikës së Shqipërisë me inicialet E.K., i cili figuronte në sistemet ndërkombëtare të kërkimit me njoftim të kuq (‘’Red Notice’’) të Interpolit”, thuhet tutje.

Autoritetet e Republikës së Shqipërisë kanë konfirmuar identitetin e tij dhe kanë njoftuar se ai është i dënuar me 17 (shtatëmbëdhjetë) vjet burgim për veprat penale “Vrasje” dhe “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës theksojnë se mbeten të përkushtuara në zbatimin e ligjit, forcimin e bashkëpunimit me partnerët vendor dhe ndërkombëtarë, si dhe sjelljen para drejtësisë të çdo personi që bie ndesh me ligjin.

Burimi: Telegrafi