Sekretari i BDI-së Nebi Rexhepi, i ftuar në emisionin PodGo në Telegrafi Maqedoni tha se BDI është ideatori dhe mbrojtësi i çdo të arriture për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
Rexhepi i cili në Kongresin e dhjetorit të vitit të kaluar u emërua sekretar i partisë, tha se BDI-ja e mban flamurin e reformimit të partisë, diçka që sipas tij nuk është parë asnjëherë në skenën politike në vend.
“Nga Kongresi i dhjetorit të vitit të kaluar, në strukturat udhëheqëse të BDI-së, anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm pra 82 përqind janë figura të reja, ndërsa 63 përqind e anëtarëve të kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm janë përsëri figura të reja. Ky është ndryshim në pozita udhëheqëse i bërë në një parti politike me këto përmasa që nuk e njeh Maqedonia e Veriut.
Ajo që duhet të theksojmë se figurat e reja janë figura që kanë ADN-në e BDI-së”. “BDI e ka dëshmuar se është gardiani dhe kreatori i çdo të arriture të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ne e kemi marrë pushtetin me vetëm 0,2 përqind përfaqësim në administratën shtetërore, ndërsa në viti 2024 e kemi lënë me 24 përqind. Ndërsa këta të tjerët nga 24 e kanë çuar në 23 përqind”, tha Rexhepi.
E pyetëm për zgjedhjet e ardhshme, ai tha se ato janë të vonuara dhe kurdo që të mbahen nuk do të jenë të parakohshme, por të vonuara. “Zgjedhjet e rregullta duhet të mbahen në vitin 2028, por nga ajo që shohim është se zgjedhjet janë të vonuara. Ne kemi theksuar se kjo qeveri nuk e ka legjitimitetin etnik të funksionimit.
Prandaj, kurdo që të mbahen, zgjedhjet janë të vonuara, nuk janë të parakohshme”, tha Rexhepi, i cili tregoi se sipas matjeve që kanë bërë, nëse mbahen zgjedhjet BDI do të fitonte 2 me 1 ndaj VLEN-it. Sa i përket çështjes së helmimit të ujit të pijshëm në Gostivar, ai tha se kjo çështje duhet t’u lihet organeve kompetente dhe nuk duhet të përdoret për pikë politike.
“Dolëm me deklaratë zyrtare se përkrahim çdo lloj funksionimi institucional dhe çdo hetim që duhet bërë për helmimin e qytetarëve në Gostivar. Ndërmarrja publike “Komunalec” posedon leje për shfrytëzimin e ujit për pije duke i plotësuar të gjitha parakushtet ligjore. Është akt i ulët i Qeverisë që të marrin pikë politike duke akuzuar partitë politike.
Bëhet fjalë për shëndetin e qytetarëve dhe duhet të jemi të kujdesshëm”, tha Rexhepi.
