Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë të zbatimit të ligjit, ka arrestuar një person të dyshuar për falsifikim të dokumenteve dhe legalizim të përmbajtjes së rreme.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti kishte nisur më , kur një person me inicialet B.K. ishte paraqitur në Agjencinë e Regjistrimit Civil për vazhdimin e dokumenteve të identifikimit që i kishte marrë vite më parë. Gjatë verifikimit, zyrtarët konstatuan se identiteti i paraqitur i përkiste një personi të vdekur prej shumë vitesh, duke ngritur dyshime për keqpërdorim të identitetit.
I dyshuari është shoqëruar në polici dhe është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, por ka shfrytëzuar të drejtën për të mos u deklaruar. Me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë, ndërsa më pas Gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit.
Për verifikimin e identitetit të tij të vërtetë, autoritetet kosovare kanë nisur bashkëpunim ndërkombëtar përmes Interpolit dhe Europolit, duke shpërndarë edhe gjurmët e gishtërinjve të të dyshuarit.
Nga informacionet e pranuara prej autoriteteve të Gjermanisë, Francës, Austrisë, Belgjikës, Shqipërisë, Hungarisë dhe vendeve të tjera, është konfirmuar se ai kishte përdorur pesë identitete të ndryshme, të lidhura kryesisht me Greqinë, Shqipërinë dhe Kosovën.
Hetimet kanë zbuluar se personi i arrestuar është shtetas i Shqipërisë me inicialet E.K., i cili kërkohej ndërkombëtarisht me njoftim të kuq të Interpolit. Autoritetet shqiptare kanë konfirmuar se ai është i dënuar me 17 vjet burgim për veprat penale “Vrasje” dhe “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”.
Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për sjelljen para drejtësisë të personave të kërkuar. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
