Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) ka miratuar shpalljen e listës me 260 asete të ritenderuara, të cilat do të dalin së shpejti në shitje përmes procesit të likuidimit.
Vendimi u mor në mbledhjen e rregullt të Bordit, të mbajtur më 29 korrik, ku u shqyrtuan dhe miratuan një sërë çështjesh që lidhen me privatizimin, likuidimin, qiradhënien dhe qeverisjen institucionale të Agjencisë. Sipas njoftimit, lista e aseteve do të publikohet në kuadër të ciklit të shitjes “SHAL 75” dhe përfshin 260 asete të ritenderuara.
Në procesin e shitjeve me negocim të drejtpërdrejtë, Bordi miratoi dy kërkesa për procedim të mëtejmë, refuzoi 12 të tjera dhe aprovoi 10 raporte përfundimtare, duke autorizuar vazhdimin e procedurave të kontratave të shitjes. Në fushën e likuidimit, Bordi miratoi shpërndarjen e 261.736.50 eurove për kreditorët e dy ndërmarrjeve shoqërore.
Për NSh “Xim Strezovci” u ndanë 236.900.20 euro për 64 kreditorë, ndërsa për NSh “Komogllava” 24.836.30 euro për tetë kreditorë. Gjithashtu u miratua buxhet shtesë për pesë ndërmarrje shoqërore, pasi procedurat e likuidimit për to ende nuk kanë përfunduar.
Sa i përket banesave në pronësi shoqërore, Bordi miratoi një kërkesë për blerje, refuzoi tri të tjera për mungesë dokumentacioni dhe në një rast u shpall jokompetent, pasi kërkesa nuk lidhej me një ndërmarrje shoqërore.
Në fushën e qiradhënies së aseteve të ndërmarrjeve shoqërore nën administrim direkt, nga pesë asete në shqyrtim, një nuk kishte asnjë ofertë, ndërsa për katër të tjerat çmimet e ofruara u refuzuan, pasi çmimet referuese do t’i nënshtrohen rivlerësimit.
Një njoftimin për medie thuhet se Bordi u informua edhe për rezultatet e qiradhënies publike të 73 njësive të ndërmarrjeve shoqërore në likuidim, ku u miratuan tetë qira komerciale dhe 22 qira vjetore. Për asetet e tjera nuk pati oferta ose ofertuesit u tërhoqën për shkak të çështjeve pronësoro-juridike.
Në mbledhje u miratua edhe Raporti gjashtëmujor i punës së Divizionit të Auditimit të Brendshëm për vitin 2026, si dhe Rregullorja për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në përputhje me kërkesat e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.
Po ashtu, Bordi ndryshoi metodologjinë për përcaktimin e çmimit orientues në shitjet e aseteve, duke vendosur që zbritja të jetë 0 për qind në tenderimin e parë, 10 për qind në të dytin, 20 për qind në të tretin dhe 40 për qind nga tenderimi i katërt, me qëllim rritjen e transparencës dhe parashikueshmërisë së procesit.
Bordi vendosi gjithashtu që, pas përfundimit të procedurave, në një nga mbledhjet e ardhshme të miratojë edhe Rregulloren për NSh “Inex Sharr Planina Brezovicë”.
