Kosova po përballet me kriza të njëpasnjëshme politike dhe institucionale, të cilat në vazhdimësi janë krijuar nga partitë politike, grupet e interesit dhe liderët partiakë të konsumuar. Inatet, përçarjet dhe tendencat destruktive janë bërë mollë sherri në skenën politike të Kosovës.
Bota po shqetësohet me veprimet, obstruksionet dhe barrikadimet, të cilat ua kanë lidhur duart dhe këmbët proceseve demokratike dhe funksionimit të institucioneve të shtetit të Kosovës. Kjo klasë politike e papjekur, e papërgjegjshme, pa vizion dhe e pareformuar, i ka tejkaluar të gjitha kodet dhe normat politike, juridike, morale e njerëzore, duke luajtur me fatin e shtetit të Kosovës.
Ikja nga përgjegjësia për t’i ndërtuar institucionet e shtetit është një veprim destruktiv dhe i papranueshëm, të cilin duhet ta sanksionojnë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Këto parti politike nuk kanë më asnjë kredibilitet dhe asnjë justifikim për veprimet destruktive, të cilat po u sjellin dëme të pariparueshme qytetarëve, duke krijuar situata të rrezikshme edhe në marrëdhëniet ndërnjerëzore.
Për kalkulimet e njëpasnjëshme, me hile dhe prapavija të rrezikshme, që po vazhdojnë tash e gati dy vite, përgjegjëse kryesore janë partitë politike, në krye me liderët e tyre. Qytetarët janë ngopur me demagogjitë e kësaj klase politike, e cila po e mban peng të ardhmen e vendit.
Sot bota po përballet me kriza të ndryshme ekonomike, sociale dhe të sigurisë, ku fuqitë e mëdha po luftojnë për sferat e interesit, përkatësisht për resurset ekonomike.
Mjerisht, politika qorre në Kosovë, e instrumentalizuar nga disa media informative dhe grupe të mafisë biznesore, po e dhunon opinionin publik me javë, muaj e vite, përmes debateve të gërditshme politike në ekranet televizive, të cilat, sipas shumë vlerësimeve, janë të ndikuara nga interesa të caktuara biznesore.
Përmes këtyre mediave, gjuha dhe kultura e komunikimit janë degraduar skajshmërisht, duke i zbehur dhe fyer vlerat, traditat kombëtare, morale e njerëzore, të kultivuara me shekuj nga kombi shqiptar.
Më thotë mendja se ka ardhur koha dhe momenti që t’i jepet fund kësaj katrahure që po i ndodh Kosovës nga njerëz të kriminalizuar, të cilët e kanë vënë në pikëpyetje integritetin dhe sovranitetin kushtetues të Republikës së Kosovës.
