Një përplasje e paprecedentë ka shpërthyer mes UEFA-s dhe FIFA-s, pasi 55 federatat anëtare të futbollit europian kanë votuar njëzëri për të bojkotuar të gjitha kompeticionet e organizuara nga FIFA, nëse miratohet plani për shitjen e aksioneve të Kupës së Botës dhe turneve të tjera tek investitorë privatë.
Vendimi u mor në një mbledhje emergjente të UEFA-s, e thirrur pas propozimit të bërë publik nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino. Sipas UEFA-s, nëse plani miratohet nga federatat anëtare të FIFA-s, federatat europiane do të bojkotojnë Kupën e Botës për meshkuj, Kupën e Botës për femra, si dhe Kupën e Botës për Klube.
Në deklaratën e saj, UEFA thekson se Kupa e Botës nuk mund të trajtohet si një produkt financiar. “Ne e refuzojmë njëzëri dhe pa asnjë mëdyshje propozimin e FIFA-s për t’ua transferuar investitorëve privatë interesat e pronësisë mbi Kupën e Botës dhe kompeticionet e tjera. Kupa e Botës është një nga trashëgimitë më të mëdha të futbollit dhe nuk është në shitje”, thuhet në deklaratë.
Plani i FIFA-s parashikon krijimin e një kompanie tregtare që do të menaxhojë kompeticionet kryesore të saj, ku investitorët privatë do të mund të blejnë aksione. Sipas mediave ndërkombëtare, Infantino u ka dërguar një letër 211 federatave anëtare të FIFA-s, duke u premtuar secilës prej tyre 40 milionë dollarë nëse mbështesin projektin.
Federatat që e miratojnë planin deri më 19 shtator do të përfitojnë fillimisht 20 milionë dollarë. UEFA reagoi ashpër ndaj kësaj nisme, duke akuzuar FIFA-n se po e përdor futbollin “për të pasuruar veten dhe miqtë e saj”.
Nëse propozimi miratohet, përplasja mes dy institucioneve më të mëdha të futbollit botëror mund të çojë në një krizë të paprecedentë, me pasoja të mëdha për organizimin e kompeticioneve ndërkombëtare.
