Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ilir Ferati, pak para nisjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm të kësaj partie, tha se sot do të ndodh praktika e një të drejte demokratike, teksa potencoi që ky kuvend ka vetëm një rend dite.
“Pritet të ndodhë ushtrimi më i mirë i një të drejte demokratike, vota e fshehtë në raport me mocionin që e kanë ngritur për shkarkim pjesa e delegatëve iniciues, të cilët e kanë plotësuar kushtin statutar për me thirrë një Kuvend të tillë, i cili është këtu domethënë afat rekord prej kryesisë së partisë, duke respektuar normat statutore, pa e konsumuar në tërësi afatin prej 60 ditësh, po në ditën e 15-të Kuvendi veç po mbahet ”, tha ai.
Ferati tha se Kuvendi mbahet me një pikë të rendit të ditës, ashtu edhe siç është iniciuar me kërkesë. “LDK-ja është shtëpi e debatit demokratik e politik, sigurisht që debati do të jetë i hapur…
Kuvendi është mekanizëm demokratik i zgjidhjes së mendimeve të ndryshme, të cilat ballafaqohen përmes argumentit, debatit dhe normalisht në fund konstatohen përmes shumicës demokratike që është vota e fshehtë në kuti, për të cilën LDK-ja tash e sa kuvende veç po e kultivon si frymë të demokracisë dhe formë të zgjidhjes së vendimeve kur ka mendime të ndryshme”, tha ai.
