Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në objektet e ndërtimit në tri komuna sot: Podujevë, Shtime dhe në Ferizaj. Sipas njoftimit, në dy komunat e para gjatë inspektimeve në dy kantiere ndërtimi janë konstatuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore, të cilat paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.
“Për shkak të mungesës së masave të nevojshme të sigurisë, Inspektorati ka ndaluar menjëherë punimet në dy kantiere ndërtimi, në Podujevë dhe Shtime, deri në eliminimin e plotë të parregullsive të evidentuara”, njofton IQP.
Ndërkaq për rastin në Ferizaj, fillimisht rasti ishte proceduar në Policinë e Kosovës, për dëmtimin e shiritit ndalues, pasi punëdhënësi edhe përkundër vendimit në fuqi për ndalimin e punimeve, ka vazhduar punën në kundërshtim me urdhrin e inspektorit.
“Pas raportimeve të publikuara në media lidhur me një objekt ndërtimi në Ferizaj, ku u ngritën shqetësime për rrezikimin e sigurisë së punëtorëve, Inspektorati Qendror i Punës ka reaguar menjëherë duke zhvilluar një inspektim në vendngjarje.
Gjatë inspektimit janë konstatuar shkelje të dispozitave ligjore në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë, të cilat paraqesin rrezik për jetën dhe shëndetin e punëtorëve”, thuhet për këtë rast.
