Qytetarët do të duhet t’i nxjerrin nga 3 euro 40 centë më shumë te arkëtarët e kompanisë rajonale “Pastërtia”, për faturat mujore të mbeturinave, nëse asamblistët e koalicionit lokal do ta mbështesin nesër () rregulloren e re, të përkrahur tashmë nga koalicioni PDK-Aleancë- “Ne Mundemi” në Komitetin për Politikë dhe Financa.
Nga 6 euro e 50 centë sa është tarifa aktuale për amvisëritë, rregullorja e re e ngrit çmimin në 9 euro e 90 centë. Kjo është vetëm njëra prej nëntë kategorive të shkallëzuara të çmimores së re për mbledhjen e mbeturinave.
Qeveria e kryetarit Agim Aliu ka propozuar që, po në seancën e së premtes të miratohen edhe çmimet e reja për parkingjet publike, që menaxhohen nga ndërmarrja publike lokale, “Ambienti”.
Ngritja më e madhe e çmimit është propozuar për parkingun nëntokësor prej dy katesh, ku aktualisht paguhet 1 euro për katër orë, por me propozimin e ri çmimi do të ngrihet në 1 euro e 50 centë, duke e shkurtuar njëherësh në tre orë qëndrimin për këtë tarifë.
“Shtrenjto, rrymën, shtrenjto ujin, shtrenjto bërllokun, shtrenjto parkingun, nuk e kanë ndërmend me u ndalë”, ka thënë të enjten () Zeqir Hasani para se të lëshohej shkallëve të parkingut nëntokësor në zemër të Ferizajt.
Çmimet e rregullores së re Alberton Sahiti, drejtor i Shërbimeve Publike dhe Emergjencave, ka thënë se kompanisë rajonale të mbeturinave, “Pastërtia”, i janë rritur shpenzimet e naftës në vlerë prej 21 mijë eurosh në muaj pas mbylljes së qendrës së transferimit të mbeturinave në Gërlicë të Ferizajt. Kamionët e “Pastërtisë” i dërgojnë mbeturinat në deponitë e Obiliqit dhe Gjilanit.
“Nuk është çmim i naltë, 9 euro e 90 është për amvisëri, këto tjerat në bazë të kategorive që i kemi parapa”, ka thënë Sahiti para përfaqësuesve të grupeve parlamentare në Komitetin për Politikë dhe Financa.
Menjëherë pas amvisërive – të rregullta, siç quhen shprehimisht në rregulloren e propozuar, shtëpitë dhe banesat të banuara përherë – është kategoria e “amvisërive të mërgatës”, ku çmimi aktual paushall 4 euro e 63 centë do të ngrihet në 5 euro.
Bizneset janë shkallëzuar në nënkategori: prej të parës, që aktualisht është 13 euro e 80 centë për metër kub mbeturina, e që do të ngrihet në 14 euro e 90 centë, deri te kategoria e katërt për biznese, që krahasuar me tarifën aktuale prej 111 eurosh e 5 centëve, do të ketë rritje prej rreth nëntë eurosh.
Brahim Osmani, shef i grupit parlamentar të LVV-së në Kuvendin Komunal, ka thënë se partia e tij do të votojë kundër propozimeve për rritjen e tarifave të mbeturinave dhe parkingjeve publike.
Ai ka theksuar se keqmenaxhimi po provohet të mbulohet me ngritje faturash, duke iu referuar të dhënave të raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për “Pastërtinë”, ku faktohet se ka pasur keqmenaxhim në kompaninë rajonale për mbledhjen e mbeturinave. “Mbi dy milionë euro ka qenë kompania në borxhe”, ka thënë Osmani, duke kërkuar shkarkimin e kryeshefit Basri Syla dhe bordit drejtues.
Visar Azemi, kryetar i Degës së LDK-së në Ferizaj dhe përfaqësues i asamblistëve bashkëpartiakë në KPF, ka kërkuar që të shtyhet për ndonjë seancë tjetër miratimi i rregulloreve të reja të tarifave për mbeturinat e parkingjet për shkak të akuzave për keqmenaxhim në “Pastërti”.
“Unë jam kundër derisa të rregullohet çështja e kompanisë, ka pasur afera, ka pasur shumë probleme aty, dhe unë personalisht jam kundër një rregullore të re pa u ndërmarrë masa për ristrukturim të kompanisë në fjalë”, ka thënë Azemi. Arian Imeri, shef i grupit parlamentar të PDK-së, ka përkrahur rritjen e tarifave, duke theksuar ndikimin e rritjes së kostos së shpenzimeve.
“Na jemi duke jetu në Ferizaj, pjesë e Republikës së Kosovës, që e ka inflacionin më të madh në regjion, dhe shkaktar i inflacionit dihet kush është”, ka thënë Imeri, duke iu drejtuar Osmanit të LVV-së përballë. “Prandaj, kjo është pasojë e një qeverisje që e kemi në nivel qendror, edhe çdo gjë duhet me u rritë”, ka thënë ai.
Parkingjet publike përballë parkingjeve publike Rritja e kostove operative gjatë viteve të fundit, sikur se thuhet në “Arsyetimin” e kërkesës, ka shtyrë edhe “Ambientin” që t’i kërkojë komunës ngritjen e çmimeve të tarifave të parkingjeve publike.
“Ngritja e tarifave do të mundësonte harmonizimin e tarifave me çmimet reale të tregut, sigurimin e të hyrave shtesë për investime në kompani, ofrimin e një shërbimi më cilësor dhe më të qëndrueshëm për qytetarë, sigurimin e menaxhimit më efikas të hapësirave publike të parkimit”, shtohet në “arsyetimin” e “Ambientit”, që u është dorëzuar anëtarëve të Kuvendit Komunal para seancës së nesërme ().
Parkingu nëntokësor afër stacionit të trenit në Ferizaj Edhe drejtori Sahiti ka justifikuar kërkesën e “Ambientit”, që drejtohet nga ish-nënkryetari i Ferizajt nga radhët e Aleancës, Arton Gavazi, tani anëtar i Kryesisë së re qendrore pas marrjes së timonit nga Ardiani Gjini.
“Ata e kanë ba një propozim për një ngritje të vogël, jo shumë të madhe për komplet tarifat që i menaxhojnë ata, duke filluar prej rrugëve kryesore deri te nënkalimi”, ka thënë Sahiti. Aktualisht, në rrugët dytësore, “Hamëz Jashari” dhe “Tahir SInani” në qendër, për një orë në parkingje publike, shoferët paguajnë nga 70 centë. Me propozimet e reja çmimi do të jetë 1 euro.
Në parkingjet private në të njëjtën rrugë, tarifat variojnë nga 1 euro për orë, deri në 2 euro për tre e katër orë. “Mendoj që arsyetimi i kompanisë është tepër banal, sepse me thanë kompanitë private janë shumë ma shtrenjtë e na duhet me i ba qaq, ose edhe me iu avit atyre pak, edhe kjo është gabim për shkak se na jemi publikë dhe s’duhet të barazohemi me privatë asnjëherë”, ka thënë Osmani, shefi i grupit parlamentar të LVV-së.
Azemi i LDK-së ka kërkuar që “Ambienti” t’ia paraqesë Kuvendit Komunal një raport financiar para se pozita t’i aprovojë kërkesat për tarifat e reja.
