Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS) është shprehur e shqetësuar lidhur me vendimin e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, për ndërprerjen e marrëveshjes për shfrytëzimin e hapësirës publike në të cilën vepron muzeu Reporting House.
YIHR u ka bërë thirrje kryetarit Rama dhe institucioneve përkatëse të rishqyrtojnë vendimin dhe të sigurojnë vazhdimësinë e një hapësirë siç e kanë quajtur me vlerë të jashtëzakonshme për qytetarët e Kosovës.
“Reporting House është muze dhe hapësirë dokumentimi me rëndësi të veçantë publike i cili kontribuon në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe dokumentin e historisë së Kosovës përmes dëshmive, materialeve arkivore, fotografive dhe rrëfimeve personale”- thuhet në reagimin e YIHR-së.
YIHR ka theksuar se institucionet publike duhet të mbështesin dhe të ruajnë hapësirat që i shërbejnë interesit të përgjithshëm, veçanërisht ato që kontribuojnë në dokumentin e së kaluarës dhe promovimin e edukimit për të drejtat e njeriut dhe paqen.
Muzeu Reporting House apo Shtëpia e Gazetarëve ofron një pasqyrim të hollësishëm të luftës në Kosovë në fund të viteve ’90-ta përmes artefakteve, video-xhirimeve të asaj kohe e intervistave të ndryshme. Mijëra qytetarë kanë vizituar muzeun Reporting House që nga hapja. Kryetari i Komunës, Përparim Rama, më bëri të ditur se ka marrë vendim për ndërprerjen e marrëveshjes me Reporting House.
