Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave ka vazhduar me shqiptimin e gjobave ndaj kundërvajtësve të raportuar nga qytetarët përmes aplikacionit “Lajmëro Policin” dhe kanaleve të tjera të komunikimit. Sipas njoftimit, stacionet policore në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren kanë trajtuar një numër të madh raportimesh për shkelje në trafik.
Policia ka theksuar se çdo rast shqyrtohet me seriozitet dhe, nëse nga të dhënat dhe materialet e dërguara, përfshirë fotografitë apo videot, vërtetohet shkelja, kundërvajtësi kontaktohet përmes telefonit dhe gjoba i shqiptohet menjëherë. Shumica e rasteve të raportuara kanë të bëjnë me parkime të parregullta, të cilat pengojnë lëvizjen e lirë të këmbësorëve dhe automjeteve.
Policia u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve që t’i respektojnë rregullat e trafikut, veçanërisht gjatë parkimit, dhe të shmangin vendet e ndaluara. Njëherësh, Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre në identifikimin e shkelësve dhe parandalimin e kundërvajtjeve. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
