Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka bërë apel ndaj konsumatorëve që të mos ndërhyjnë në valvulat e rrjetit të ujësjellësit, pasi janë evidentuar raste të manipulimit të paautorizuar në disa zona të shërbimit.
Sipas njoftimit të KRU-së, ndërhyrje të tilla janë raportuar në disa zona: përfshirë fshatrat Rahovë, Vërnicë, Pirrq, Frashër, Zasellë, Koshtovë, Kqiq, Zhazhë, Boletin, Lipë, Kelmend, Gushavc dhe Vinarc.
Kompania ka theksuar se manipulimi i valvulave nga persona të paautorizuar është i ndaluar dhe mund të ndikojë në funksionimin normal të sistemit të furnizimit, duke shkaktuar ndërprerje, ulje të presionit dhe shpërndarje të pabarabartë të ujit për konsumatorët. “Manipulimi i valvulave lejohet vetëm nga punonjësit e autorizuar të KRU-së.
Çdo ndërhyrje nga persona të tjerë është e papranueshme dhe përbën shkelje ligjore”, ka bërë të ditur kompania. KRU ka kërkuar nga qytetarët që të mos ndërhyjnë në rrjetin e ujësjellësit, të raportojnë çdo rast të dyshuar të keqpërdorimit dhe të bashkëpunojnë me ekipet e autorizuara.
Kompania ka theksuar se mbetet e angazhuar për të siguruar furnizim të rregullt, të sigurt dhe të barabartë me ujë të pijshëm për të gjithë konsumatorët.
