Në fjalimin e tij të 1 gushtit – Ditës Kombëtare të Zvicrës – drejtuar zviceranëve jashtë vendit, presidenti i Zvicrës Guy Parmelin thekson se vlerat dhe besimi që na mbajnë në kohë krize na bashkojnë përtej kufijve. Fillimi i vitit u shënua nga tragjedia në Crans-Montana, por edhe nga shumë luftëra dhe kriza.
“Në momente të tilla e ndjejmë aq më fort lidhjen që na bashkon”, shpjegon presidenti në video-mesazhin e tij, të drejtuar me rastin e festës kombëtare të 1 gushtit rreth 840’000 zviceranëve jashtë vendit.
Në vijim fjala e plotë e presidentit të Zvicrës Guy Parmelin: Zviceranë dhe zvicerane të nderuar jashtë vendit, Në fshatin tim, në Bursen, ka jetuar një njeri me horizont të gjerë botëror. Ju me siguri e njihni të gjithë, ishte aktori britano-zvicerian Piter Ustinov, i cili fatkeqësisht ndërroi jetë më 2004. E kujtoj gjithmonë me shumë dashuri, humanizmin dhe humorin e tij.
Ai njëherë tha përfaësisht këtë: një optimist i njeh problemet e botës – dhe prapëseprapë nuk e humb guximin. Një pesimist i zbulon problemet çdo ditë nga e para. Një fjalë e urtë që na duhet shumë në këto kohë sfiduese. Viti aktual në Zvicër u shënua nga katastrofa e zjarrit në Crans-Montana, ndërkohë që në planin ndërkombëtar u shënua nga shumë luftëra dhe kriza.
Shpresoj, bashkëqytetarë dhe bashkëqytetare të dashur, që muajt e fundit t’i keni kaluar në vende të sigurta dhe të mbrojtura të kësaj bote. Në të njëjtën kohë, jam plotësisht i vetëdijshëm se paqartësitë e prekin thuajse çdo njeri, se ato i prishin planet, ndonjëherë vetëm për disa javë, ndonjëherë për një jetë të tërë.
Në kriza dhe pas katastrofave, shpesh e ndjejmë më fort edhe lidhjen mes nesh. Zvicra ka përjetuar solidaritet të madh në ditët dhe javët pas natës së zjarrit. Koordinimi me vendet fqinje ishte vendimtar për t’i trajtuar personat e plagosur rëndë. Bashkësia ndërkombëtare mbështet në raste të tilla. Kjo përvojë më jep besim.
Nëse ia dalim të qëndrojmë të bashkuar në kriza akute, atëherë duhet t’ia dalim gjithashtu të gjejmë përgjigje të përbashkëta ndaj sfidave afatgjata të kohës sonë.
Në mënyrë paradoksale, presioni ndaj rendit juridik ndërkombëtar dhe tregtisë së lirë duket, për shembull, se po prodhon efektin e kundërt: në bisedat e mia këtë vit, vërej se mbështetja për këto çështje po rritet përsëri në shumë vende. Zvicra e nxjerr forcën e saj, përkundër të gjitha ndryshimeve, nga qëndrueshmëria.
Vlerat demokratike dhe liberale e kanë formësuar historinë tonë. 1 gushti na jep mundësinë t’i festojmë këto vlera dhe të besojmë se ato do të mbeten të qëndrueshme, sado shumë të ndryshojë bota. Ndonjëherë është edhe e kundërta: kush qëndron pranë asaj që është e provuar, është tashmë përpara kohës së vet.
Bashkëqytetarë dhe bashkëqytetare të dashur, miq dhe mike të Zvicrës: vlerat dhe besimi që na mbajnë në kriza, na bashkojnë përtej të gjitha kufijve. Në këtë frymë, ju uroj, edhe në emër të qeverisë, siguri, mirëqenie dhe një 1 gusht të gëzuar.
