Nga: Shaban Maxharraj Shpërndaje në: Pastrim i terrenit, rrethoja mbrojtëse, kamera të jashtme e të brendshme, central i monitorimit, zërim, laure këmbësorësh për vizitorë, riprodhim e montim i dyshemeve të shtigjeve të drunjta, rregullim i tabelave informuese, janë disa prej punimeve që do të kryhen në Kalanë e Prizrenit e cila në prillin e sivjetmë u mbyll pjesërisht për shkak të rrezikut për vizitorë.
Përkundër kësaj, plani për ndërhyrje sistematike për ta bërë të qasshme gjithë Kalanë për vizitorë, s’duket në horizont Tre muaj pasi disa pjesë të Kalasë së Prizrenit janë mbyllur për vizitorë shkaku i rrezikut që paraqesin, Ministria e Kulturës ia ka mësyrë të bëjë një ndërhyrje emergjente në këtë aset të trashëgimisë kulturore.
Megjithëse problemet e këtij monumenti – ndër më të vizituarit në vend janë të thella – Ministria e Kulturës do të bëjë një intervenim periferik. Plani për ndërhyrje sistematike për ta bërë të qasshme gjithë Kalanë për vizitorë, s’duket në horizont.
“Masat emergjente në Kalanë e Prizrenit dhe Kalanë e Novoberdës”, mban titullin thirrja për të cilën ka aplikuar veç një kompani dhe është zgjedhur që t’i kryejë punimet me 110 mijë e 820 euro. Prej tyre, shumica e mjeteve do të investohen në Kalanë e Prizrenit e intervenimi në Novoberdë është krejt i thjeshtë, çështje tabelash.
Në Kalanë e Prizrenit synohet pastrim i terrenit, rrethoja mbrojtëse, kamera të jashtme e të brendshme, central i monitorimit, zërim, laure këmbësorësh për vizitorë, riprodhim e montim i dyshemeve të shtigjeve të drunjta, rregullimi i tabelave informuese, riprodhimi e montimi i karrigeve në amfiteatër dhe zhvendosja e tualeteve nga hapësira brenda mureve rrethuese në atë të jashtme.
Por telashet e Kalasë janë tejet më përmbajtjesore. Këtë e ka konstatuar edhe vetë Komisioni mbi raportin e të cilit Ministria ka vendosur që të mbyllë disa pjesë për vizitorë. Komisioni ka rekomanduar ndërhyrje urgjente.
“Sigurimi i segmenteve murale të dobësuara përmes mbështetjeve të përkohshme; pastrimi i fugave të zbrazëta dhe plotësimi i tyre me llaç origjinal; kufizimi i menjëhershëm i qasjes së vizitorëve në zonat që paraqesin rrezik; planifikimi urgjent i një programi të plotë konservimi dhe restaurimi; vendosja e rrethojave metalike si masa të përkohshme për mbrojtjen e vizitorëve; vendosja e kamerave të sigurisë, ndriçimi dhe shenjëzimi i rrezikut”, shkruhet në raportin e hartuar nga punonjësit e Institutit Arkeologjik të Kosovës, Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës dhe Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren.
Sipas raportit të hartuar nga Veron Tara, Caner Tatar, Elvis Shala, Sara Sylejmani, Jusuf Xhibo dhe Besar Grazhda, jepen të dhëna se në muret e larta rrethuese është vërejtur që llaçi lidhës me bazë gëlqereje ka humbur në masë të madhe qëndrueshmërinë e tij, për shkak të ndikimeve atmosferike dhe depërtimit të ujit në brendësi të murit nga pika të ndryshme.
Si pasojë, janë shtuar zbrazëtirat në faqet e murit, janë krijuar humbje materiali në mbushjet e brendshme dhe në disa zona janë evidentuar rënie gurësh. Është konstatuar se hapësirat e krijuara kanë shkaktuar shembje të pjesshme në disa segmente dhe se procesi i degradimit është në zhvillim.
“Humbja e fugave është e pranishme edhe në tunelet, specifikisht në pjesën e sipërme të tyre, gjë që rrezikon shembjen e gurëve dhe rrezikimin e jetës së vizitorëve, si dhe degradimin e mëtejshëm të strukturave”, shkruhet në dokumentin e protokolluar më 24 prill të këtij viti.
Sipas Komisionit, kjo gjendje paraqet rrezik të menjëhershëm si për integritetin e strukturës, ashtu edhe për sigurinë e vizitorëve, duke e bërë të domosdoshme ndërhyrjen pa vonesë.
Kanë arritur në përfundim se është me rëndësi që shtresa mbrojtëse e njohur si “kapelë”, e vendosur në pjesën e sipërme të mureve dhe që ndalon depërtimin e ujit në strukturë, të kontrollohet në mënyrë të detajuar për të identifikuar rrjedhje të mundshme.
Edhe Kulturë Raporti: Mungesa e mirëmbajtjes në Kalanë e Prizrenit solli probleme serioze “Në strukturat e tjera arkeologjike brenda Kalasë janë vërejtur dobësime të materialit origjinal, si dhe dëmtime të shkaktuara nga rrënjët e bimëve, formacionet biologjike dhe lagështia. Këta faktorë kanë çuar në humbje të fugave, rënie gurësh dhe, në disa raste, në humbje të integritetit strukturor.
Çarjet e konstatuara në shtresat mbrojtëse (kapelë) lejojnë depërtimin e ujit në strukturë, duke rritur rrezikun e dëmtimeve si pasojë e cikleve ngrirje-shkrirje”, shkruhet në raport. Është cekur se në shumicën e strukturave të Kalasë së Prizrenit është e pranishme lagështia dhe dëmtimi nga uji, për të cilat duhet detyrimisht të bëhen ndërhyrje për eliminimin e lagështisë.
Ata kanë vlerësuar se proceset e degradimit të konstatuara në Kalanë e Prizrenit kanë karakter progresiv dhe se vonesa e ndërhyrjeve mund të sjellë humbje më të mëdha strukturore. Sipas dokumentit, për këtë arsye është thelbësore që në zonat përkatëse të fillojnë sa më parë punimet emergjente të mbrojtjes dhe stabilizimit.
“Gjithashtu rekomandohet që Kalaja të përfshihet në një program të rregullt mirëmbajtjeje dhe të monitorohet në intervale të përcaktuara, me qëllim parandalimin e përsëritjes së problemeve të ngjashme”, shkruhet në raport, ku propozohet krijimi i një ekipi të zgjeruar për hartimin e projektit të konservimit, me përfaqësues nga IAK, IKMM, QRTK Prizren dhe palë të tjera të interesit.
Ministria e Kulturës e ka centralizuar tërësisht komunikimin me publikun. Profesionistët në institucione s’guxojnë të shprehen për asnjë çështje. Në rastin e fundit arkeologu Shafi Gashi i cili ka kritikuar qasjen e Ministrisë në raport me Kalanë, ka marrë masë disiplinore me zbritje të pagës për tre muaj nga 30 për qind.
KOHA ka pyetur Ministrinë e Kulturës se përse në procedurën aktuale të prokurimit ku përfshihet edhe Kalaja e Prizrenit, intervenimi nuk është më përmbajtësor dhe më i thellë, por ndalet vetëm te kamerat, tualetet dhe shtigjet. E po ashtu se përse s’ka intervenim në pjesët ku ka shembje të vazhdueshme të gurëve. Por Ministria nuk është përgjigjur.
Në këto pyetje s’janë përgjigjur as ushtruesja e detyrës së drejtorit të Institutit Arkeologjik, Zana Rama dhe as menaxheri i Kalasë, Veron Tara, i cili edhe ka bërë kërkesën për ndërhyrje. Por Rama e Tara në bazë të shkresave kanë qenë të zëshëm në rastin e masës disiplinore ndaj Gashit. Ia kanë rënduar lëndën.
Edhe Kulturë 20 dhj 2025 Persepolisi dy mijë e 500 vjet i vjetër rrezikohet nga fundosja e tokës Në maj Instituti Arkeologjik i Kosovës, nëpërmjet Ministrisë së Kulturës kishte thënë se fillimisht duhet mënjanim i rrezikut për vizitorë. “Aktualisht, jemi në përfundim të procedurave për mënjanimin e rrezikut, si për vizitorët ashtu edhe për strukturat e Kalasë.
Pas kësaj do të vazhdohet me projektin e plotë të restaurimit dhe konservimit adekuat të Kalasë së Prizrenit”, shkruhej ndër të tjera në përgjigjet e IKA-s. KOHA ka raportuar se plani i menaxhimit, i miratuar në fund të vitit 2020, ka qenë pesëvjeçar. Ministria e Kulturës nuk i është përmbajtur këtij plani në tërësinë e tij dhe monumenti ka arritur në gjendjen që të mbyllet në disa pjesë.
Kalaja e Prizrenit, ende pa u futur brenda rrethojës, shihet se është një lokalitet i braktisur. Në cilindo drejtim që nisen vizitorët, nuk marrin informacion. Tabelat informuese janë dëmtuar nga koha dhe shërbejnë vetëm si pamje të shëmtuara që dëshmojnë moskujdesin institucional. Shtigjet e drunjta kanë degraduar deri në atë masë sa rrezikojnë vizitorët.
Janë riparuar pjesërisht me dërrasa, por kjo është një zgjidhje e përkohshme që e ka shëmtuar hapësirën dhe vetëm pak e ka rritur sigurinë. Vitet e fundit, ky aset dhe shumë të tjerë, shpesh kanë mbetur pa roje dhe pa mirëmbajtje, duke u lënë në harresë nga shteti.
Edhe Kulturë 10 o. më parë Opera jehon në sheshin e Prishtinës Në vitin 2014, në monument janë investuar 700 mijë dollarë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, përkatësisht nga Fondi i Ambasadorit për Trashëgiminë Kulturore. Bëhet fjalë për një monument që gjatë muajve të verës, sipas të dhënave institucionale, vizitohet nga deri në 5 mijë vizitorë në ditë.
Deri sivjet, sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore, aty janë shpenzuar 1 milion e 117 mijë euro. Ministria e Kulturës nuk ka arritur që as në dy tentime, ta pajisë Kalanë e Prizrenit me ciceronë, pasi i ka anuluar konkurset vitin e kaluar dhe sivjet. Në bazë të Ligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin 2026, për këtë aset janë ndarë 85 mijë euro si vazhdim i vitit të kaluar, pa shtesa të reja.
