Kosova është përfshirë zyrtarisht në shërbimin “Google Street View”, duke u bërë një nga vendet e fundit në rajon që ofron pamje panoramike të rrugëve dhe territoreve të saj në platformën e Google. Pas një procesi disa mujor të fotografimit, Google ka publikuar pamje 360-gradëshe nga pothuajse i gjithë territori i Kosovës, të realizuara gjatë periudhës 2025-2026.
Përdoruesit tashmë mund të shohin rrugët e qyteteve kryesore si Prishtina, Prizreni, Peja, Gjakova, Mitrovica, Gjilani dhe Ferizaj, por edhe zona rurale, rrugë malore dhe destinacione turistike.
Në mesin e vendeve të përfshira janë edhe Gryka e Rugovës, Parku Kombëtar i Sharrit dhe Bjeshkët e Nemuna, duke u dhënë mundësi përdoruesve nga e gjithë bota të eksplorojnë virtualisht bukuritë natyrore të Kosovës.
Sipas të dhënave të publikuara, për realizimin e pamjeve janë përdorur kamera moderne të gjeneratës së katërt, ndërsa në disa raste janë përdorur edhe pajisje të posaçme për fotografime në kushte të vështira atmosferike.
Përfshirja e Kosovës në “Google Street View” pritet të ndikojë në promovimin e turizmit dhe të ndihmojë bizneset lokale që të kenë më shumë prezencë në platformat digjitale. Me këtë hap, Kosova bëhet pjesë e hartës globale të vendeve që mund të eksplorohen virtualisht përmes shërbimit të Google. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
