Mbi 80 për qind e personave me etni shqiptare të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë ishin civilë. Kështu ka deklaruar drejtori i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, pas publikimit të raportit të këtij institucioni.
Në një intervistë në RTK Prime, Hetemi tha se raporti dokumenton viktimat e luftës përmes një procesi të gjerë të mbledhjes dhe verifikimit të të dhënave nga burime vendore dhe ndërkombëtare. “Mbi 80 për qind e viktimave të komunitetit shqiptar janë civilë të vrarë në luftë.
Ndërkaq, mbi 52.4 për qind e personave që janë të vrarë, të zhdukur ose të vdekur si pasojë e luftës, janë persona të armatosur apo evidentohen si pjesëtarë të forcave të armatosura”, ka thënë Hetemi.
Sipas tij, Instituti ka mbledhur materiale nga më shumë se 15 vende të botës, përfshirë dokumente arkivore dhe materiale të tjera që shërbejnë për dokumentimin dhe verifikimin e krimeve të kryera gjatë luftës. “Kemi arritur të mbledhim materiale që dokumentojnë krimet e luftës nga më shumë se 15 vende të ndryshme të botës.
Janë qindra metra lineare material arkivor dhe mbi 21 terabajt materiale që dokumentojnë krimet”, ka deklaruar ai. Hetemi ka bërë të ditur se në procesin e dokumentimit janë përfshirë tri kategori kryesore: personat e vrarë, personat e zhdukur me dhunë dhe personat që kanë humbur jetën si pasojë e luftës.
Ai ka theksuar se lista e publikuar është preliminare dhe se Instituti mbetet i hapur për përfshirjen e rasteve të reja, me qëllim pasurimin e arkivit historik për luftën në Kosovë. Sipas tij, dallimi kryesor i këtij procesi është metodologjia e përdorur, ku janë përcaktuar kritere të qarta për përfshirjen e viktimave.
“Kriteret bazë kanë përcaktuar se cilët persona do të përfshihen në listë. Bëhet fjalë për persona që kanë lindur apo kanë pasur vendbanim në Kosovë gjatë kohës së luftës; persona me plagë vdekjeprurëse ose të zhdukur në rrethana të lidhura drejtpërdrejt me luftën; persona që kanë humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga lufta dhe persona që, bazuar në dokumentacion, kanë lidhje me luftën e fundit në Kosovë”, ka shpjeguar Hetemi.
Raporti ka analizuar edhe aspektin gjinor të viktimave. Sipas të dhënave të prezantuara, 11 mijë e 415 persona ose 86.3 për qind e të vrarëve janë meshkuj, ndërsa 1 mijë e 811 gra janë vrarë gjatë luftës. “Analiza dëshmon se pasojat e luftës nuk janë kufizuar vetëm te meshkujt”, ka thënë Hetemi. Raporti evidenton se viktimat më të shumta i përkasin moshës së punës.
Rreth 57.5 për qind e viktimave janë persona nga 18 deri në 50 vjeç, ndërsa 14.7 për qind janë persona mbi 65 vjeç. Po ashtu, janë dokumentuar mbi 1 mijë e 240 viktima të moshës nga 0 deri në 17 vjeç. Gjatë prezantimit të raportit është bërë e ditur se për periudhën nga janari i vitit 1998 deri më janë dokumentuar gjithsej 12 mijë e 230 viktima të luftës në Kosovë.
Nga këto të dhëna, raporti dokumenton vrasjen e 1 mijë e 247 fëmijëve të moshës 0 deri në 17 vjeç, ndërsa 94 fëmijë të tjerë kanë humbur jetën si pasojë e kushteve të luftës. Ende mbetet i pazbardhur fati i 100 fëmijëve të zhdukur me dhunë.
