Në prag të Kuvendit, Tahiraj ka këtë kërkesë për delegatët e LDK-së

0%

Në prag të Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, veprimtari Saim Tahiraj u ka bërë thirrje delegatëve që të votojnë me përgjegjësi dhe të vendosin në interes të unitetit të partisë dhe të së ardhmes së vendit.

Në një deklaratë për “Bota sot”, Tahiraj theksoi se vendimi që do të merret në Kuvend nuk ka të bëjë vetëm me zgjedhjen e një kryetari apo drejtimi politik, por edhe me orientimin e ardhshëm të LDK-së dhe të Kosovës. “Nesër nuk do të votoni vetëm për një kryetar apo për një drejtim politik.

Nesër do të vendosni për të ardhmen e LDK-së dhe, në një masë të madhe, edhe për drejtimin që do të marrë Kosova. Në duart tuaja është një përgjegjësi e jashtëzakonshme. Çdo votë që do të hidhni do të jetë një mesazh për qindra mijëra anëtarë, veprimtarë dhe mbështetës të LDK-së, të cilët presin nga ky kuvend një gjë të vetme: unitetin.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ata presin një LDK më të fortë, më të bashkuar dhe më të gatshme për t’i shërbyer Kosovës Mos lejoni që emocionet e çastit, inatet, xhelozitë apo interesat personale të jenë më të mëdha se interesi i LDK-së. Ato kanë dëmtuar gjithmonë familjen tonë politike dhe kanë gëzuar vetëm kundërshtarët. Sot është koha t’i lini pas dhe të dëshmoni pjekuri, urtësi dhe përgjegjësi”, ka thënë ai.

Saim Tahiraj Tahiraj ka rikujtuar edhe trashëgiminë politike të ish-presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, duke u bërë thirrje delegatëve që ta ruajnë frymën e bashkimit dhe demokracisë brenda LDK-së. “Presidenti historik Ibrahim Rugova na mësoi se LDK-ja ndërtohet mbi demokracinë, dialogun, respektin dhe bashkimin. Kjo trashëgimi është amaneti që duhet ta ruani me dinjitet.

Sot më shumë se kurrë, LDK-ja ka nevojë për secilin prej jush, jo për ta thelluar ndarjen, por për ta forcuar unitetin. Historia do t’i kujtojë me nder ata delegatë që, në një moment vendimtar, zgjodhën bashkimin në vend të përçarjes, përgjegjësinë në vend të interesit personal dhe të ardhmen e LDK-së mbi çdo kalkulim tjetër.

Sot është dita për të dëshmuar se jeni në lartësinë e besimit që ju ka dhënë anëtarësia. Mbi të gjitha LDK-ja. Mbi të gjitha Kosova. Të bashkuar jemi më të fortë”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Burimi: Bota Sot