Menopauza dhe dhimbjet e nyjeve: Pse shumë gra pas moshës 45 vjeç

0%

Rënia e estrogjenit gjatë menopauzës mund të ndikojë në nyje, kocka dhe muskuj, duke shtuar inflamacionin, ngurtësinë dhe dobësinë fizike. Megjithatë, jo çdo dhimbje është “normale”: disa simptoma mund të fshehin osteoporozë ose sëmundje reumatike që kërkojnë diagnostikim dhe trajtim të hershëm Dr.

Besim Demolli Specialist i reumatologjisë Tel. +38344727068 Jo çdo dhimbje që shfaqet pas moshës 45 vjeç është pasojë normale e plakjes. Në shumë raste, organizmi po sinjalizon ndryshime biologjike të lidhura me menopauzën, të cilat mund të ndikojnë ndjeshëm në shëndetin e nyjeve, kockave dhe muskujve.

A është menopauza vetëm fundi i ciklit menstrual apo fillimi i një transformimi të madh biologjik? Shumë gra pas moshës 45 vjeç fillojnë të përjetojnë ndryshime të cilat deri atëherë nuk kanë qenë pjesë e jetës së tyre të përditshme.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Dhimbjet e duarve, ngurtësia e gjunjëve, lodhja e vazhdueshme, dhimbjet në qafë dhe shpinë, humbja e energjisë dhe ulja graduale e kapaciteteve fizike bëhen ankesa gjithnjë e më të shpeshta. Në shumicën e rasteve, këto simptoma konsiderohen si një pasojë normale e kalimit të viteve. Shprehja “është normale, sepse po hyj në menopauzë” dëgjohet pothuajse çdo ditë në praktikën klinike.

Por a është vërtet normale që një grua aktive dhe funksionale të fillojë të jetojë me dhimbje të vazhdueshme? Përgjigjja është më komplekse sesa duket. Menopauza nuk është një sëmundje, por një periudhë tranzicioni biologjik që sjell ndryshime të rëndësishme në organizëm. Megjithatë, dhimbja nuk duhet të konsiderohet si pjesë e pashmangshme e saj.

Pse menopauza ndikon kaq shumë në shëndetin muskuloskeletor? Menopauza përkufizohet si ndërprerja e përhershme e menstruacioneve për të paktën 12 muaj radhazi, si rezultat i humbjes graduale të funksionit të vezoreve. Zakonisht ajo ndodh ndërmjet moshës 45 dhe 55 vjeç, megjithëse tek disa gra mund të shfaqet më herët ose më vonë.

Ajo që e bën këtë periudhë kaq të rëndësishme nuk është vetëm ndërprerja e ciklit menstrual, por rënia e konsiderueshme e estrogjenit, një hormon me rol të jashtëzakonshëm në funksionimin e të gjithë organizmit. Për shumë vite, estrogjeni është parë vetëm si hormon riprodhues, por sot dihet se receptorët e tij gjenden në pothuajse çdo ind të organizmit.

Ata janë të pranishëm në kocka, muskuj, kërcin artikular, tendina, ligamentet, sistemin nervor, sistemin kardiovaskular dhe qelizat e sistemit imunitar. Për këtë arsye, ulja e tij sjell një efekt zinxhir në shumë procese biologjike. Pse estrogjeni konsiderohet mbrojtësi natyror i nyjeve? Një nga funksionet më të rëndësishme të estrogjenit është kontrolli i proceseve inflamatore.

Në kushte normale, ai ndihmon në ruajtjen e ekuilibrit ndërmjet substancave proinflamatore dhe antiinflamatore. Pas menopauzës, ky ekuilibër fillon të prishet. Pra, rritet prodhimi i citokinave inflamatore, si interleukina-1, interleukina-6 dhe faktori i nekrozës tumorale alfa, të cilat ndikojnë në rritjen e ndjeshmërisë ndaj dhimbjes dhe përshpejtojnë proceset degjenerative.

Kjo gjendje njihet si inflamacion kronik i shkallës së ulët dhe konsiderohet një nga mekanizmat biologjikë që lidh menopauzën me dhimbjet muskuloskeletore. Pse kockat fillojnë të dobësohen pas menopauzës? Kockat nuk janë struktura statike, por inde të gjalla që rinovohen vazhdimisht. Në kushte normale ekziston një ekuilibër i vazhdueshëm ndërmjet formimit dhe shpërbërjes së indit kockor.

Estrogjeni është një nga faktorët kryesorë që ruan këtë ekuilibër. Kur niveli i tij bie, procesi i humbjes së masës kockore përshpejtohet ndjeshëm. Në vitet e para pas menopauzës, gratë mund të humbin një përqindje të konsiderueshme të densitetit kockor. Ky proces favorizon zhvillimin e osteopenisë dhe osteoporozës, duke rritur ndjeshëm rrezikun për fraktura.

Pikërisht për këtë arsye, osteoporoza quhet shpesh “epidemia e heshtur e menopauzës”, sepse për vite të tëra mund të mos japë asnjë simptomë derisa të ndodhë fraktura e parë. A preken vetëm kockat apo edhe muskujt? Një aspekt që shpesh neglizhohet është ndikimi i menopauzës në sistemin muskulor.

Pas moshës 45–50 vjeç fillon humbja graduale e masës dhe forcës muskulore, një proces i njohur si sarkopeni. Muskujt janë stabilizuesit kryesorë të nyjeve. Kur ata dobësohen, ngarkesa transferohet drejtpërdrejt mbi nyjet, tendinat dhe ligamentet.

Si rezultat, shumë gra fillojnë të ndihen të lodhura më shpejt, të kenë më pak rezistencë fizike dhe të përjetojnë vështirësi në kryerjen e aktiviteteve të përditshme. Pse disa gra fillojnë të kenë dhimbje në të gjithë trupin? Dhimbja pas menopauzës rrallëherë ka vetëm një shkak.

Në shumicën e rasteve, ajo është rezultat i ndërveprimit të disa faktorëve njëkohësisht: ndryshimet hormonale, inflamacioni kronik, humbja e masës muskulore, çrregullimet e gjumit, shtimi në peshë, stresi kronik dhe ulja e aktivitetit fizik. Këta faktorë krijojnë një rreth vicioz.

Dhimbja ul aktivitetin fizik, ulja e aktivitetit dobëson muskujt, dobësimi i muskujve rrit ngarkesën mbi nyjet dhe kjo, nga ana tjetër, shton edhe më shumë dhimbjen. Cilat pjesë të trupit preken më shpesh? Në praktikën klinike, simptomat shfaqen më shpesh në duar, gjunjë, qafë, regjionin lumbal, shpatulla dhe kërdhokulla.

Shumë gra raportojnë ngurtësi pas periudhave të gjata të pushimit, vështirësi në ngritjen e shkallëve, ulje të forcës së kapjes së objekteve dhe kufizim progresiv të lëvizshmërisë. A mund të fshihet një sëmundje reumatike pas simptomave të menopauzës? Po, dhe pikërisht këtu qëndron rëndësia e vlerësimit specialistik. Jo çdo dhimbje lidhet drejtpërdrejt me menopauzën.

Kjo periudhë mund të favorizojë shfaqjen ose të bëjë më të dukshme disa sëmundje reumatike, si osteoartriti, osteoporoza, artriti reumatoid, sindroma e Sjögren, fibromialgjia, bursitet dhe tendinopatitë.

Ekzistojnë disa shenja alarmuese që nuk duhet të neglizhohen: ënjtja e nyjeve, ngurtësia e mëngjesit që zgjat më shumë se një orë, skuqja dhe ngrohja e nyjeve, lodhja e theksuar, humbja e pashpjegueshme e peshës trupore dhe kufizimi progresiv i funksioneve të përditshme. Çfarë mund të bëjë çdo grua për të mbrojtur nyjet dhe kockat e saj? Parandalimi mbetet arma më e fuqishme.

Aktiviteti fizik i rregullt, ushtrimet për forcimin e muskujve, ruajtja e peshës normale trupore, dieta mesdhetare, marrja e mjaftueshme e kalciumit dhe vitaminës D, gjumi cilësor dhe kontrollet periodike mjekësore janë ndër faktorët më të rëndësishëm për ruajtjen e shëndetit muskuloskeletor.

Menopauza nuk duhet të perceptohet si fillimi i një periudhe të pashmangshme të dhimbjes, por si një fazë e re e jetës që kërkon më shumë kujdes, më shumë vetëdije dhe më shumë parandalim. Si vendoset diagnoza dhe cilat ekzaminime janë të nevojshme në gratë pas moshës 45 vjeç?

Vlerësimi i dhimbjeve të nyjeve në periudhën e menopauzës nuk duhet të kufizohet vetëm në faktin se “është moshë” apo “është normale”, por kërkon një qasje të plotë klinike që synon të diferencojë ndryshimet hormonale fiziologjike nga sëmundjet reumatologjike, metabolike apo endokrinologjike që mund të fillojnë pikërisht në këtë periudhë të jetës.

Në këtë kontekst, një histori e detajuar mjekësore dhe një ekzaminim fizik i kujdesshëm mbeten hapi i parë dhe më i rëndësishëm, ku vlerësohet natyra e dhimbjes, kohëzgjatja e ngurtësisë së mëngjesit, prania ose mungesa e ënjtjes së nyjeve, kufizimi i lëvizshmërisë, lodhja e përgjithshme, cilësia e gjumit si dhe faktorët e rrezikut familjar për osteoporozë apo sëmundje autoimune.

Pas këtij vlerësimi fillestar, shpesh lind nevoja për analiza laboratorike që ndihmojnë në identifikimin e proceseve inflamatore, çrregullimeve metabolike apo sëmundjeve autoimune.

Në praktikën klinike, zakonisht përfshihen hemogrami komplet për vlerësimin e gjendjes së përgjithshme hematologjike, sedimentimi i eritrociteve (SE) dhe proteina C-reaktive (CRP) si markerë të inflamacionit, faktori reumatoid dhe anti-CCP për vlerësimin e artritit reumatoid, ANA në rastet kur dyshohet për sëmundje sistemike autoimune, si dhe vlerësimi i vitaminës D, kalciumit, magnezit dhe fosforit për shëndetin kockor.

Po ashtu, shpesh janë të domosdoshme edhe testet e funksionit renal dhe hepatik (kreatinina, urea, ALT, AST), profili i hekurit dhe ferritinës, si dhe TSH për të përjashtuar çrregullimet e tiroides që shpesh mund të imitojnë simptoma reumatologjike.

Në rastet kur dyshohet për osteoporozë apo humbje të densitetit kockor, vlerësimi plotësohet me ekzaminime specifike metabolike të kockës, ndërsa analiza e vitaminës D mbetet një nga komponentët më të rëndësishëm në këtë grupmoshë, duke qenë se mungesa e saj është shumë e shpeshtë dhe lidhet drejtpërdrejt me dhimbjet muskuloskeletore dhe dobësimin e kockave.

Përveç analizave laboratorike, një rol shumë të rëndësishëm në diagnostikim kanë edhe ekzaminimet radiologjike, të cilat ndihmojnë në identifikimin e ndryshimeve strukturore dhe inflamatore në nyje dhe shtyllën kurrizore.

Radiografia konvencionale përdoret shpesh si ekzaminim fillestar për duart, gjunjët, shpatullat, kërdhokulla dhe shtyllën kurrizore cervikale ose lumbare, në varësi të simptomave të pacientes.

Ultrazëri muskuloskeletor (MSUS) është një metodë shumë e vlefshme për zbulimin e hershëm të inflamacionit të nyjeve, sinovitit, bursitit dhe tendinopative, shpesh edhe para se ndryshimet të shfaqen në radiografi. Osteodensitometria (DEXA scan) konsiderohet standardi i artë për diagnostikimin e osteopenisë dhe osteoporozës, duke lejuar vlerësimin e saktë të rrezikut për fraktura.

Në raste më të komplikuara ose kur dyshohet për dëmtime të indeve të buta apo patologji të hershme inflamatore, rezonanca magnetike (MRI) ofron një pamje shumë më të detajuar të strukturave artikulare dhe periartikulare. Si trajtohen dhimbjet e nyjeve pas menopauzës dhe cilat janë opsionet moderne të trajtimit?

Sa i përket trajtimit, qasja duhet të jetë gjithmonë e individualizuar dhe multidimensionale, duke mos u kufizuar vetëm në lehtësimin e dhimbjes, por duke synuar përmirësimin e funksionit dhe parandalimin e progresionit të sëmundjes.

Roli i stilit të jetesës në menaxhimin e dhimbjes Një nga shtyllat kryesore të trajtimit është modifikimi i stilit të jetesës, i cili përfshin aktivitet fizik të rregullt, ushtrime për forcimin e muskujve, ushtrime të fleksibilitetit dhe ekuilibrit, si dhe kontrollin e peshës trupore, pasi çdo kilogram i tepërt rrit ngarkesën mbi nyje, veçanërisht gjunjët dhe kërdhokullat.

Po ashtu, ndërprerja e duhanit dhe përmirësimi i cilësisë së gjumit kanë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e inflamacionit dhe dhimbjes kronike.

Terapia fizikale dhe rehabilitimi Një komponent tjetër i rëndësishëm është terapia fizikale dhe rehabilitimi, e cila përfshin programe të strukturuara ushtrimesh, kinezioterapi, hidroterapi dhe edukim postural, me qëllim përmirësimin e lëvizshmërisë, forcës muskulore dhe stabilitetit të nyjeve, si dhe reduktimin e rrezikut për dëmtime të mëtejshme.

Suplementet dhe roli i tyre në shëndetin muskuloskeletor Në varësi të nevojës, mund të rekomandohen edhe suplemente si vitamina D, kalciumi dhe magnezi, të cilat luajnë rol thelbësor në shëndetin e kockave dhe funksionin muskular.

Trajtimi medikamentoz sipas diagnozës Trajtimi medikamentoz varet nga diagnoza përfundimtare dhe mund të përfshijë analgjezikë dhe antiinflamatorë josteroidë për kontrollin e dhimbjes, barna specifike për osteoporozën kur ajo është e pranishme, si dhe trajtime të specializuara për sëmundjet reumatike inflamatore në rastet kur ato diagnostikohen.

Infiltrimet intraartikulare dhe trajtimet lokale Në disa raste të përzgjedhura, infiltrimet intraartikulare mund të ndihmojnë në reduktimin e inflamacionit lokal dhe përmirësimin e funksionit.

Roli i terapisë hormonale në bashkëpunim multidisiplinar Gjithashtu, në bashkëpunim me gjinekologun, mund të vlerësohet edhe terapia hormonale zëvendësuese, gjithmonë duke peshuar përfitimet dhe rreziqet individuale.

Mesazhi: Në përfundim, vlerësimi i dhimbjeve të nyjeve në periudhën e menopauzës kërkon një qasje të kujdesshme dhe të plotë, pasi pas moshës 45 vjeç trupi nuk “plaket thjesht”, por kalon në një fazë komplekse biologjike ku ndërveprojnë hormonet, inflamacioni, metabolizmi dhe sistemi muskuloskeletor.

Diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi adekuat janë çelësi për të ruajtur lëvizshmërinë, pavarësinë funksionale dhe cilësinë e jetës së gruas në vitet që pasojnë .

Burimi: Telegrafi