Zjarret në Greqi, humbin jetën tre zjarrfikës

0%

Tre zjarrfikës humbën jetën në dy episode të ndryshme të ndodhura të mërkurën në Greqi. Sipas Shërbimit Zjarrfikës grek, dy anëtarë të forcave zjarrfikëse të Kretës, 25 dhe 58 vjeç, humbën jetën në zonën e Rethymnos, gjatë luftës me flakët. Sipas informacioneve të para, dy zjarrfikësit po operonin në një zonë të izoluar, kur u rrethuan nga flakët, duke humbur jetën në vend.

Policia gjeti më vonë edhe automjetin e tyre tërësisht të djegur. Siç raporton korrespondenti i Top Channel Artur Bibe, dy zjarrfikës të tjerë pësuan dëmtime të rënda dhe ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën. Viktima e tretë u shënua në zjarrin në zonën e Gjithios, në Peloponez. Viktima është shefi i zyrës rajonale të zjarrfikësve në Lakoni.

Policia njoftoi se zjarrfikësi 30-vjeçar humbi jetën si pasojë e një ataku kardiak, të shkaktuar nga lodhja dhe tensioni i madh fizik gjatë përpjekjeve për shuarjen e zjarrit, i cili prej 24 orësh ka përfshirë qindra hektarë në atë zonë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në terren, beteja me flakët vazhdon me intensitet në Peloponez, në ishullin Paros, në Mitilini dhe në Kretë, ku zjarri është përhapur në një front prej më shumë se 15 kilometrash, mes Rethymnos dhe Hanias.

Në terren po operojnë qindra zjarrfikës dhe vullnetarë, por kushtet atmosferike mbeten tepër të vështira, me temperatura rreth 40 gradë Celsius dhe erëra që arrijnë deri në 8 ballë të shkallës Bofor. Në zonën e Hanias, rreth 2 mijë turistë dhe banorë u evakuuan përmes detit me anije dhe skafe private, pasi autoritetet nuk mundën t’u siguronin një rrugë të sigurt evakuimi nga toka.

Situata alarmante pritet të zgjasë edhe për 48 orët e ardhshme. Mbrojtja Civile ka paralajmëruar rrezik të lartë për zjarre në disa zona të vendit dhe u ka bërë thirrje banorëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të zbatojnë me rigorozitet urdhrat e autoriteteve, nëse kjo do të jetë e nevojshme.

Burimi: Bota Sot