BE i reagon Vuçiqit për deklaratat tendencioze lidhur me Kosovën

0%

Bashkimi Evropian (BE) bëri thirrje që të shmangen deklaratat që nuk ndihmojnë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, duke theksuar se dialogu është e vetmja rrugë drejt përparimit në rrugën evropiane. “Vetëm përmes dialogut mund të arrihet përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Duhet të shmangen deklaratat dhe veprimet që nuk kontribuojnë në këtë qëllim”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me deklaratat e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për Kosovën.

“Përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që të dyja palët të bëjnë përparim në rrugën e tyre evropiane”, tha zëdhënësi i BE-së.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Vuçiq më 25 korrik, gjatë ceremonisë së promovimit të oficerëve më të rinj të Ushtrisë së Serbisë në Beograd, deklaroi se forcimi i ushtrisë, ruajtja e neutralitetit ushtarak dhe mbrojtja e integritetit territorial janë ndër prioritetet kryesore shtetërore të Serbisë.

Duke iu drejtuar oficerëve të rinj, Vuçiq tha se betimi që ata kanë bërë i obligon të respektojnë Kushtetutën e Serbisë dhe të mbrojnë integritetin territorial të vendit. Ai shtoi se si ata, ashtu edhe udhëheqja shtetërore, do të përballen me presione të ndryshme, por se ruajtja e integritetit territorial ka rëndësi parësore.

Ai përsëriti qëndrimin zyrtar të Beogradit se Kosova është pjesë e Serbisë, duke iu referuar Kushtetutës së Serbisë dhe, siç u shpreh ai, “drejtësisë së Zotit”. Serbia nuk e njeh pavarësinë që Kosova shpalli më 2008. Të dyja shtetet zhvillojnë dialog për normalizimin e marrëdhënieve, nën ndërmjetësimin e BE-së, që nga viti 2011.

Në kuadër të këtij procesi janë arritur një sërë marrëveshjesh, por vetëm një numër i vogël i tyre është zbatuar në praktikë. Si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, përparimi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve është parakusht për avancimin në procesin e integrimit evropian.

Burimi: Telegrafi