Ish-deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka bërë thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme në parti, duke theksuar se Kuvendi i jashtëzakonshëm duhet të shënojë fillimin e një procesi të ri demokratik.
Ajo ka vlerësuar se, pas rezultateve të fundit zgjedhore, LDK-ja ka nevojë për ndryshim në mënyrën e funksionimit dhe vendimmarrjes, duke kërkuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe gjithëpërfshirëse, ku vendimin ta marrë anëtarësia.
Krasniqi ka theksuar se LDK-ja nuk është pronë e askujt, por një shtëpi e përbashkët politike, ndërsa ka shtuar se një LDK më demokratike dhe më e fortë është e domosdoshme për të ardhmen e Kosovës. Sipas saj, “kur fiton demokracia brenda LDK-së, fiton edhe LDK-ja, e kur fiton LDK-ja, fiton Kosova”.
Postimi i plotë: LDK-së i duhen zgjedhje të brendshme, jo për t’u ndarë, por për t’u ringritur. Kuvendi i jashtëzakonshëm duhet të jetë fillimi i një procesi të ri demokratik, që e rikthen besimin e anëtarësisë dhe e forcon partinë për sfidat që e presin. Pas rezultateve të fundit zgjedhore, nuk mjafton të ndryshojmë fjalët apo retorikën.
Ka ardhur koha të ndryshojmë mënyrën se si funksionojmë, si marrim vendime dhe si ndërtojmë besimin brenda LDK-së. LDK-ja ka nevojë për zgjedhje të lira, të ndershme dhe gjithëpërfshirëse, ku vendimin e merr anëtarësia dhe ku vlerësohen puna, kontributi, integriteti dhe besimi që secili ka fituar ndër vite. Në politikë, matësi i vetëm është vota dhe besimi i qytetarëve.
Askush nuk duhet të vlerësohet nga afërsia me udhëheqësin apo me individë të caktuar, por nga mbështetja që gëzon te anëtarësia dhe te qytetarët. Partitë politike nuk mbahen me shoqëri e rrethe të ngushta. Ato mbahen nga njerëzit që i kanë qëndruar pranë në ditët e mira e të vështira, nga aktivistët që kanë punuar pa u kursyer dhe nga votuesit që ua kanë besuar votën.
Le të vendosë anëtarësia. Pikërisht këta duhet ta kenë fjalën vendimtare për drejtimin e LDK-së. Le të jetë demokracia ajo që përcakton këtë drejtim të ardhshëm. Po ashtu, LDK-ja nuk është pronë e askujt.
Ajo është shtëpia jonë e përbashkët politike, e ndërtuar me sakrificën dhe përkushtimin e shumë brezave, ndaj e ardhmja e saj duhet të vendoset nga ata që e mbajnë gjallë çdo ditë me punën, besimin dhe votën e tyre. Ky nuk është një qëndrim për interesa personale dhe as kundër askujt.
Është një thirrje për një LDK më të bashkuar, më demokratike dhe më të fortë, ku secili ka mundësi të ecë përpara falë punës, meritës dhe besimit që gëzon te anëtarësia. LDK-ja duhet të ndryshojë që të ringritet fuqishëm, sepse Republika e Kosovës ka nevojë për një LDK të fortë, demokratike dhe fituese. Kur fiton demokracia brenda LDK-së, fiton edhe LDK-ja.
E kur fiton LDK-ja, fiton Kosova.✌️
