Portieri i Barcelonës, Joan Garcia, ka deklaruar se objektivi i tij kryesor për sezonin 2026/27 është fitimi i Ligës së Kampionëve me klubin katalanas. Garcia zhvilloi një sezon të suksesshëm debutues me Barcelonën, pasi iu bashkua ekipit nga rivali lokal Espanyol.
Gjatë edicionit të kaluar, ai kontribuoi në triumfin e Barcelonës në La Liga dhe Superkupën e Spanjës, duke regjistruar 15 ndeshje pa pësuar gol, më shumë se çdo portier tjetër në elitën e futbollit spanjoll. Megjithatë, Barcelona nuk arriti të shkëlqente në garat evropiane.
Skuadra e drejtuar nga Hansi Flick u eliminua në çerekfinale të Ligës së Kampionëve nga Atletico Madridi, ndërsa Garcia nuk arriti të mbante asnjë portë të paprekur në nëntë paraqitje në këtë kompeticion. Me këtë ecuri, Barcelona u bë skuadra e parë spanjolle që kalon 15 ndeshje radhazi në Ligën e Kampionëve pa një ndeshje pa pësuar gol.
Pas triumfit me Kombëtaren e Spanjës në Kupën e Botës, Garcia ka theksuar se dëshiron ta ngrejë edhe trofeun më prestigjioz në nivel klubesh. “Po, padyshim që ëndrra ime këtë sezon është ta fitoj Ligën e Kampionëve.
Kam një vit te Barcelona, fituam La Ligën dhe Superkupën e Spanjës, ndërsa tani objektivi im për sezonin 2026/27 është Liga e Kampionëve, trofeu më i rëndësishëm në futbollin e klubeve”, deklaroi Garcia. Ai shtoi se skuadra ka potencial për ta arritur këtë synim, por paralajmëroi se nuk duhet të krijohet një obsesion rreth këtij objektivi.
“Nuk është mirë të fiksohesh pas saj, sepse nëse nuk ia del, ndikimi negativ mund të jetë i madh. Megjithatë, duhet të ekzistojë dëshira dhe entuziazmi, sepse ne jemi të aftë ta fitojmë”, u shpreh portieri spanjoll. Barcelona nuk e ka fituar Ligën e Kampionëve që nga viti 2015, kur mposhti Juventusin me rezultat 3-1 në finale.
