Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj deklaratave të anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Alban Krasniqi, njëherësh bashkëshort i ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, i cili e ka quajtur Ramën “vrasës”.
Në reagimin e tij publik, Rama ka thënë se “gjuha e urrejtjes dhe linçimit nuk e ndryshon ligjin”, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për përdorim të këtij lloj diskursi politik. Ai ka përmendur edhe rastin tragjik të vdekjes së 26-vjeçarit në Prishtinë.
“Duke mos i njohur as kompetencat dhe përgjegjësitë institucionale, po tentohet t’i faturohen Kryeqytetit përgjegjësi që sipas ligjit u takojnë institucioneve të nivelit qendror”, ka deklaruar Rama.
Ai ka theksuar se, sipas legjislacionit në fuqi, verifikimi teknik i vinçave, inspektimi i pajisjeve dhe mbikëqyrja e masave të sigurisë në punë janë kompetencë ekskluzive e Inspektoratit Qendror të Punës. Sipas Ramës, Inspektorati i Kryeqytetit ushtron kompetenca vetëm në zbatimin e kushteve të lejes së ndërtimit dhe legjislacionit përkatës.
“Çdo përpjekje për t’ia faturuar Kryeqytetit dhe mua përgjegjësitë që ligji ua ngarkon institucioneve të nivelit qendror tregon se, përveç dashakeqësisë, jeni edhe të padijshëm!”, ka shkruar ai.
Rama ka bërë të ditur se Inspektorati i Kryeqytetit do të vazhdojë bashkëpunimin me Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, Inspektoratin Qendror të Punës dhe institucionet e tjera, me qëllim zbardhjen e plotë të rastit. Ai gjithashtu ka njoftuar se do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj Alban Krasniqit. “Alban Krasniqi do të paditet për shpifje”, ka deklaruar Rama.
Në fund të reagimit të tij, kryetari i Prishtinës ka kritikuar qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, duke e akuzuar për mungesë të investimeve kapitale, intimidim të kundërshtarëve politikë dhe përkeqësim të marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë. “Po e ripërsëris: ju jeni fatkeqësia e këtij vendi”, ka përfunduar Rama reagimin e tij. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
