Pensionet e kategorive të luftës, IKD kërkon hetim nga Prokuroria për

0%

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësim për moszbatimin e aktgjykimeve të gjykatave nga Departamentet e Pensioneve në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare (MPFVLÇ), lidhur me të drejtën për pension të dyfishtë për kategoritë e dala nga lufta.

Sipas IKD-së, rastet e trajtuara nga Qendra për Ndihmë Juridike Falas tregojnë se nuk bëhet fjalë për raste të izoluara, pasi edhe pas përfundimit të procedurave gjyqësore, në disa raste Ministria nuk po i ekzekuton vendimet e formës së prerë, nuk po i alokon mjetet financiare për përfituesit ose po nxjerr vendime të reja në kundërshtim me vendimet e gjykatave.

IKD ka bërë të ditur se në disa raste, edhe kur e drejta e qytetarëve është konfirmuar nga të gjitha instancat gjyqësore, përfshirë Gjykatën Supreme, aktgjykimet vazhdojnë të mos zbatohen. “Qytetarët mbesin pa i realizuar përfitimet që u janë njohur me vendim gjyqësor të formës së prerë”, thuhet në reagimin e IKD-së.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Instituti ka kritikuar edhe rastet kur pas anulimit të një vendimi administrativ nga gjykata dhe kthimit të çështjes në rivendosje, Ministria nxjerr sërish vendim refuzues me të njëjtin arsyetim, pa marrë parasysh udhëzimet dhe qëndrimet juridike të gjykatës.

Sipas IKD-së, një praktikë e tillë cenon sigurinë juridike dhe parimin e sundimit të ligjit, pasi vendimet gjyqësore janë të detyrueshme edhe për administratën publike.

IKD ka theksuar se moszbatimi i aktgjykimeve të plotfuqishme mund të përbëjë vepër penale, duke iu referuar nenit 394 të Kodit Penal, i cili parasheh përgjegjësi për refuzimin ose mosekzekutimin e një vendimi gjyqësor të plotfuqishëm. “Varësisht nga pasojat, dënimi për këtë vepër penale mund të arrijë deri në pesë vjet burgim”, ka deklaruar IKD.

Instituti ka kërkuar nga MPFVLÇ që të evidentojë dhe zbatojë menjëherë të gjitha aktgjykimet e formës së prerë, të kryejë pagesat për përfituesit dhe të ndalojë nxjerrjen e vendimeve në kundërshtim me vendimet e gjykatave. Po ashtu, IKD i ka bërë thirrje Prokurorit të Shtetit që të hetojë situatën lidhur me dyshimet për moszbatim të vendimeve gjyqësore.

Burimi: Telegrafi