​Drejtori i AKI-së dhe ministrat Sveçla e Krasniqi vizitojnë vendin

0%

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti, dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë vizituar të martën fshatin Kalludër e Vogël në Zubin Potok, ku po vazhdojnë gërmimet pas lokalizimit të një varreze masive, në të cilën janë gjetur mbetje mortore dhe veshmbathje që dyshohet se u përkasin 23 intelektualëve nga Mitrovica të zhdukur gjatë luftës.

Pas vizitës në vendin e ngjarjes, Sveçla tha se zbulimi i kësaj varreze masive është rezultat i punës intensive të institucioneve të sigurisë dhe bashkëpunimit me qytetarët. “Pas një pune intensive të institucioneve të sigurisë, por edhe bashkëpunimit me qytetarët, kemi zbuluar një varrezë masive me mbetje të qytetarëve tanë.

Puna intensive po vazhdon në disa drejtime, si në aspektin e gërmimeve ashtu edhe në atë hetimor, për t’i zbuluar të gjithë ata që janë fajtorë dhe përgjegjës. Nuk do të ndalemi deri në gjetjen e trupit të fundit të personit të zhdukur”, deklaroi Sveçla.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ai theksoi se institucionet do të vazhdojnë angazhimin për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës dhe për vënien para drejtësisë të të gjithë përgjegjësve për këto krime.

Gërmimet në Kalludër të Vogël po vazhdojnë nga ekipet kompetente, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet janë në zhvillim për identifikimin e viktimave dhe dokumentimin e plotë të rastit.

Burimi: Bota Sot