Dukagjini do të kërkojë një tjetër mbrëmje të madhe evropiane, teksa sot (e mërkurë) do të përballet me Luganon në ndeshjen e kthimit të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Skuadra nga Klina udhëton drejt kësaj përballjeje me një disavantazh minimal pas humbjes 1:0 në ndeshjen e parë të zhvilluar në Zvicër, por me bindjen se kualifikimi mbetet plotësisht i hapur.
Përballja në kampin nacional të FFK-së në Hajvali pritet të jetë një test i madh për Dukagjinin, i cili synon të shfrytëzojë faktorin vendas, përkrahjen e tifozëve dhe një paraqitje sa më të mirë për të eliminuar një kundërshtar me përvojë ndërkombëtare.
Klubi kosovar ka analizuar gabimet e ndeshjes së parë dhe synon të jetë më i saktë në fazën mbrojtëse dhe më i rrezikshëm në sulm, në përpjekje për ta përmbysur rezultatin. Për Dukagjinin kjo është paraqitja e dytë në garat evropiane.
Në debutimin e tij në edicionin 2023/24, klubi nga Klina kishte kaluar raundin e parë kualifikues, përpara se të ndalej në raundin e dytë të Ligës së Konferencës. Një kualifikim ndaj Luganos do të ishte një nga rezultatet më të mëdha në historinë e klubit dhe do ta dërgonte Dukagjinin në raundin tjetër, ku do të përballej me fituesin e duelit mes Runavikut dhe Koperit./ Telegrafi
