​Mercedes rrit fitimin, Porsche njofton shkurtime të 5 mijë vendeve

0%

Dy prodhuesit gjermanë të automjeteve, Mercedes-Benz dhe Porsche, kanë publikuar rezultate të ndryshme financiare, me të parin që ka raportuar rritje të fitimit në nivel grupi, ndërsa i dyti ka njoftuar shkurtime të reja të vendeve të punës për shkak të rënies së përfitueshmërisë, raporton dpa, përcjellë KosovaPress..

Mercedes-Benz raportoi se fitimi neto i grupit u rrit me 13.5 për qind në tremujorin e dytë të vitit, duke arritur në rreth 1.09 miliardë euro, krahasuar me 957 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo është hera e parë në tre vjet që kompania shënon rritje vjetore të fitimit.

Megjithatë, të hyrat ranë me 3.3 për qind, në pak më shumë se 32 miliardë euro, ndërsa shitjet globale të automjeteve dhe furgonëve u ulën me 6 për qind. Goditjen më të madhe Mercedes e pësoi në Kinë, ku shitjet e veturave ranë me 30 për qind.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Drejtori ekzekutiv i Mercedes-Benz, Ola Källenius, tha se kompania ka ruajtur kursin e saj pavarësisht kushteve të vështira të tregut dhe se në gjysmën e dytë të vitit do të fokusohet në prezantimin e modeleve të reja.

Ndërkohë, Porsche bëri të ditur se deri në fund të vitit 2035 do të shkurtojë edhe 5 mijë vende pune në Gjermani, në kuadër të një plani ristrukturimi prej 2.1 miliardë eurosh që synon rikthimin e përfitueshmërisë së kompanisë. Shkurtimet do të prekin fabrikën kryesore në Stuttgart-Zuffenhausen dhe qendrën e kërkimit e zhvillimit në Weissach.

Megjithatë, kompania ka garantuar se deri në fund të vitit 2035 nuk do të ketë largime të detyrueshme nga puna. Reduktimi i stafit do të realizohet përmes pensionimit, pensionimit të parakohshëm, largimeve vullnetare dhe zvogëlimit natyror të numrit të punonjësve.

Në kuadër të programit të kursimit, punonjësit, siç thonë në këtë firmë, do të përballen edhe me shtyrje të rritjeve të pagave, ulje të bonusit të fundvitit dhe kufizim të punës nga shtëpia.

Burimi: Bota Sot