Përfaqësuesja e Kosovës në golf po shënon një tjetër moment historik, duke marrë pjesë për herë të parë në Kampionatin Evropian Ekipor “Team Shield” – Malta 2026, kampionat i organizuar nga Shoqata Evropiane e Golfit. Kosova ka zhvilluar ushtrimet zyrtare para nisjes së garave, ku golfistët kosovarë kanë pasur mundësinë të përgatiten për sfidat që i presin në këtë kompeticion evropian.
Ngjyrat e Kosovës do t’i mbrojnë Albin Arifi, Azer Bislimaj, Mërgim Gjinovci dhe Qëndrim Alija, të cilët do të garojnë nën drejtimin e kapitenit Arif Arifi, me synimin për të përfaqësuar sa më denjësisht vendin në debutimin historik.
Federata e Golfit e Kosovës ka bërë të ditur se pjesëmarrja e ekipit është mundësuar falë mbështetjes së kompanisë Sent.dm, në cilësinë e sponsorit të artë, si dhe përkrahjes së vazhdueshme nga Ministria përgjegjëse për sportin.
Pjesëmarrja në këtë kampionat konsiderohet një hap i rëndësishëm për zhvillimin e golfit në Kosovë dhe një mundësi për sportistët kosovarë që të fitojnë përvojë në garat më të rëndësishme evropiane, duke hapur një kapitull të ri në historinë e këtij sporti në vend.
