Eliminimi i hershëm i Brazilit nga Kupa e Botës 2026 ka tronditur futbollin brazilian dhe ka ngritur pikëpyetje serioze për të ardhmen e Neymarit, i cili pas humbjes ndaj Norvegjisë në 1/8 e finales la të kuptohet se kapitulli i tij me kombëtaren ka përfunduar.
Pavarësisht shpresave të mëdha që kishte sjellë trajneri Carlo Ancelotti, Brazili dështoi sërish të rikthejë trofeun e Kupës së Botës, të cilin e pret që nga viti 2002. Neymar drejt lamtumirës me fanellën e Brazilit? Sipas gazetës spanjolle Marca, që i referohet portalit brazilian Bitbol, Neymar po kalon një nga momentet më të vështira të karrierës së tij.
Pas eliminimit, sulmuesi brazilian u pa i përlotur dhe deklaratat e tij u interpretuan si një lamtumirë ndaj kombëtares. “U përpoqa. Gjithçka filloi këtu dhe mbaron këtu. Ka marrë fund”, deklaroi Neymar, sipas Globo Esporte dhe UOL.
Nëse ky vendim konfirmohet, Neymar do ta mbyllë aventurën me Brazilin si golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares, me 80 gola, duke lënë pas legjendën Pelé. E ardhmja në klub mbetet një enigmë Pikëpyetjet nuk lidhen vetëm me kombëtaren. Edhe e ardhmja e tij te Santos është e paqartë.
Kontrata e Neymarit me klubin brazilian përfundon më , ndërsa mediat braziliane raportojnë se ai është “i lodhur nga futbolli” dhe po shqyrton seriozisht mundësinë e pensionimit.
Sipas raportimeve, ai po analizon tre skenarë: të vazhdojë te Santos deri në përfundim të kontratës; të ndërpresë kontratën dhe të transferohet në një kampionat me më pak presion; ose t’i japë fund përfundimisht karrierës si futbollist.
Lëndimet dhe kritikat kanë lënë pasoja Vitet e fundit Neymar është përballur me dëmtime të shumta, të cilat e kanë penguar të rikthehet në nivelin që e bëri një nga futbollistët më të mirë në botë.
Njëkohësisht, ai ka qenë vazhdimisht në qendër të kritikave pas dështimeve të Brazilit në turnetë e mëdhenj, faktorë që, sipas mediave braziliane, kanë ndikuar edhe në gjendjen e tij psikologjike. Vetë futbollisti kishte deklaruar disa muaj më parë, në një intervistë për Cazé TV, se vendimin për të ardhmen do ta merrte vetëm pas përfundimit të Kupës së Botës.
Presion edhe jashtë fushës Sipas Marca, në Santos ekziston bindja se Neymar është pranë largimit nga futbolli, por ai po përballet me presion nga babai i tij, i cili dëshiron që karriera të vazhdojë për shkak të angazhimeve me sponsorët.
Raportimet shtojnë gjithashtu se marrëdhëniet e tij me disa bashkëlojtarë dhe drejtues nuk kanë qenë gjithmonë të mira, ndërsa janë ngritur dyshime edhe për rolin e tij si lider në dhomat e zhveshjes. Drejtuesit e Santos nuk kanë ndërmarrë ende asnjë veprim, duke pritur vendimin përfundimtar të yllit brazilian.
Ndërkohë, tifozët shpresojnë që Neymar të vazhdojë të paktën deri në fund të kontratës për të ndihmuar klubin në garat vendase dhe ato kontinentale. Megjithatë, nëse ai vendos t’i japë fund karrierës, futbolli brazilian dhe ai botëror mund të humbasin një nga ikonat më të mëdha të gjeneratës së tij, duke shënuar fundin e një epoke. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
