Shpërndaje në: Tre persona janë ndaluar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë të martën lidhur me rrëzimin e vinçit në një vendpunishte në Prishtinë, aksident në të cilin humbi jetën një punëtor 26-vjeçar, ndërsa një tjetër mbeti i lënduar.
Sipas Prokurorisë, të ndaluarit janë A.Sh., i dyshuar për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, si dhe B.S., në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë ndërtuese, dhe E.E., në cilësinë e personit të kompanisë investuese të projektit, të dyshuar për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Prokuroria ka njoftuar se është informuar për aksidentin më 28 korrik, rreth orës , ndërsa menjëherë pas pranimit të informatës, prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me Policinë e Kosovës, Njësinë Rajonale të Hetimeve dhe Inspektoratin e Punës.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë angazhuar ekspertë të pavarur të sigurisë në punë dhe një ekspert i inxhinierisë mekanike. Po ashtu, në vendin e ngjarjes janë siguruar prova materiale, janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë dhe është kryer ekzaminimi i vendit të ngjarjes nga njësia e forenzikës.
“Ndërkohë janë intervistuar dëshmitarët okularë dhe personi i lënduar, i cili po vazhdon trajtimin mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Si pasojë e aksidentit, jetën e humbi E.Sh., ndërsa një person tjetër pësoi lëndime të rënda trupore”, thuhet në njoftim.
Edhe Kronikë 4 o. më parë Inspektorati i Punës: Vinçi u rrëzua gjatë montimit Lidhur me rastin, Prokuroria ka iniciuar hetime për veprat penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Sipas Prokurorisë, brenda afatit ligjor do të shqyrtohet kërkesa për caktimin e ndonjërës prej masave të sigurisë ndaj të dyshuarve, ndërsa hetimet do të vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
