Një aksion i Policisë së Kosovës ka çuar në arrestimin e pronarit të një autosalloni në Vushtrri, nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve të automjeteve me qëllim përfitimin e të drejtës së regjistrimit në Kosovë. Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i arrestuari është A.S, rreth 44-vjeçar, pronar i autosallonit “Armando” në Vushtrri.
Sipas informacioneve, hetimet kanë nisur pas një njoftimi nga QAK-Eurolab, lidhur me dyshimet për falsifikimin e pesë librezave koreane të automjeteve. Dyshohet se në dokumente ishte ndryshuar viti i prodhimit nga 2015 në 2016, me qëllim që automjetet të plotësonin kushtet për regjistrim në Republikën e Kosovës.
Në kuadër të hetimeve, Njësia e Auto-Krimeve në Mitrovicë, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, QAK-Eurolab dhe nën koordinimin e Prokurorit të Shtetit, ka mbledhur prova dhe më 28 korrik ka kryer kontroll në shtëpinë e të dyshuarit. Gjatë aksionit është intervistuar edhe djali i tij, Art Sahiti, i cili pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, A.S është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin e dyshuar të falsifikimit të dokumenteve janë në vazhdim. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
