Familja Gjinovci ka reaguar pas aludimeve të publikuara ndaj Rron Gjinovcit, lidhur me pretendimet se familja e tij e ka pasur mysafir dhe klient në hotel kriminelin famëkeq të luftës, Arkanin. Në emër të familjes, Adnan Gjinovci ka deklaruar se këto “aludime dhe informacione” nuk lidhen me familjen e tij, por me anën e dajëve të Rron Gjinovcit.
Adnan Gjinovci ka thënë se familja distancohet nga qëndrimet dhe aktiviteti politik i Rron Gjinovcit, ndërsa për pretendimet lidhur me Arkanin ka theksuar se ato nuk kanë të bëjnë me trungun familjar të Gjinovcëve.
Postimi i plotë: REAGIM PUBLIK: Demantim i shpifjeve mediatike ndaj familjes Gjinovci Të nderuar bashkëqytetarë dhe media, Marr shkak nga zhvillimet e fundit dhe reagimet mediatike rreth aktivistit Rron Gjinovci, për të bërë këtë sqarim publik në emër të familjes sonë.
Për të qenë plotësisht i hapur dhe korrekt: babai i Rronit është djali i axhës tim Arbërit për të cilin kom shumë respekt.Sidoqoftë, unë personalisht dhe familja ime nuk ndajmë të njëjtat qëndrime politike me Rronin dhe dëshirojmë të distancohemi qartë nga aktiviteti i tij politik. Ajo që na shtyn të reagojmë sot është mbrojtja e të vërtetës dhe e dinjitetit të emrit tonë familjar.
Familja Gjinovci, me prejardhje nga Makermali i Drenicës, ka një histori të pastër e patriotike. Gjyshi im ka qenë sekretar i shtabit të heroit kombëtar Shaban Polluzha dhe bashkëluftëtar i tij.
Familja jonë nuk ka pasur kurrë kurrfarë miqësie apo afërsie me kriminelin Arkan – përkundrazi, e kemi pasur dhe e kemi armik, e në luftë kemi qenë përballë tij e kundërshtarë të çdo force okupuese.
Sa u përket aludimeve apo informacioneve për lidhje me Arkanin, ato lidhen ekskluzivisht me anën e dajëve të Rronit dhe nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me trungun, historinë apo emrin e familjes Gjinovci. Kërkojmë nga mediat dhe opinioni publik që të mos e përbaltin emrin e familjes sonë për llogari të përplasjeve politike të ditës.
Historia e familjes Gjinovci është e shkruar me mund e sakrificë për këtë vend dhe do të mbetet gjithmonë e tillë. Me Respekt Familja Gjinovci , ( Prishtinë , Makërmal , Mitrovicë ) Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
