Benjamin Netanyahu mbërriti në Shtëpinë e Bardhë në një moment jo fort të qetë për të. Kryeministri izraelit hyri në takimin me Donald Trumpin nën hijen e deklaratave nga Nju Jorku, ku kryebashkiaku Zohran Mamdani kishte ngritur mundësinë që të kërkohej zbatimi i urdhrit ndërkombëtar të arrestit ndaj tij nëse ai do të vizitonte qytetin. Por ajo që ndodhi në Uashington ishte krejt tjetër.
Në vend të prangave, Netanyahu u prit në Zyrën Ovale nga Trumpi, me fotografi, duar të shtrënguara dhe bisedime për luftën me Iranin, Lindjen e Mesme dhe marrëveshjet e paqes. Presidenti amerikan ka bërë të qartë se Netanyahu nuk do të arrestohet gjatë qëndrimit të tij në SHBA. Takimi mes dy liderëve erdhi në një periudhë kur marrëdhënia e tyre po kalon disa tensione.
Në tavolinë ishin lufta me Iranin, situata në Gaza, marrëveshjet në rajon dhe presionet politike me të cilat po përballet Netanyahu në Izrael. Para takimit, Trump pranoi se me Netanyahun kanë disa dallime, sidomos për mënyrën se si duhet të trajtohen disa çështje në Lindjen e Mesme, por theksoi se janë “shumë afër” në qëndrime.
Ndërkohë, Netanyahu vazhdon ta paraqesë Trumpin si një prej mbështetësve më të mëdhenj të Izraelit në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa kërkon mbështetje në një periudhë kur popullariteti i qeverisë së tij është vënë nën presion.
Kështu, ajo që nisi me një debat për një arrestim të mundshëm në Nju Jork, përfundoi me një takim në zemër të Uashingtonit, ku Netanyahu u ul përballë Trumpit për të diskutuar fatin e një prej konflikteve më të nxehta në botë. Netanyahu i sigurt në konakun e mikut, Trump: S’ka shans të arrestohet në SHBA Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
