U diskutua për ndeshjen mes Belgjikës dhe Egjiptit, sfidë që doli në barazim 1:1. Eksperti i futbollit Ditmar Bicaj tha se për të nuk ishte surprizë ky barazim. Sipas tij, Egjipi ka një formë të mirë pasi ka një lojtar si Salah dhe se e meritoi rezultatin. “Nuk e shikoja si favorite Belgjikën, sepse edhe në përballjet direkt ekipi belg nuk kishte një avantazh. E mendoja se do ishte ndeshje e vështirë. Egjipti luajti shumë mirë. Shtatë lojtarë tek Egjipti luajnë në kampionatin vendas dhe kjo është për komplimente”, tha Bicaj. Gazetari Elert Yzeiri deklaroi se në sfidën mes Egjiptit e Belgjikës, humbi dy pikë ekipi egjiptian. “Në ndeshjen mes Belgjikës dhe Egjiptit, humbi dy pikë ekipi egjiptian. Egjipti kishte shans që mund ta bënte sfidën 2:0. Gjendja fizike bëri diferencën”, u shpreh Yzeiri. Futbollistja e Kombëtares Shqiptare Angela Nika deklaroi se ndeshja ishte e luftuar. “Ishte ndeshje e luftuar. Kemi Belgjikë që mbajti topin dhe kemi Egjipt që është mirë nga ana taktike. Kemi Belgjikë, që në mbrojtje lë hapësira dhe ndëshkohet. Egjiptin e la përgatitja fizike”, deklaroi ajo.
