Deputeti dhe nënkrytari i Partisë demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar sot lidhur me një investim të vëllait të kryeministrit, Olsi Rama.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Këlliçi shprehet se me gjysmën e një toke të blerë dhe të rivlerësuar, Olsi Rama do të bëhet pronar i kazinosë së kullës Air Albania Sipas Këlliçit, me Edi Ramën në pushtet, i vëllai dhe shokët e tij kanë gjetur parajsën në Shqipëri.
“Shokut të ngushtë të Olsi Ramës i ka ndodhur një mrekulli financiare, një përmbysje e paimagjinueshme dhe në skenaret e Hollivudit. Për 2 muaj, ai ‘blen’ një tokë 320 mijë euro dhe e rivlerëson 26 milionë euro. Me gjysmën e kësaj toke ai bëhet pronar i kazinosë së kullës Air Albania.
Kjo lëvizje bëhet nën hundën e disa institucioneve që monitorojnë dhe teorikisht luftojnë pastrimin e parave, me në krye SPAK! Me Edi Ramen, Olsi dhe shokët e tij kanë gjetur parajsën në Shqipëri.
Jo më kot, ndërsa kanë ikur 1 milionë shqiptarë nga vendi prej qeverisjes së keqe, korrupsionit e lidhjeve me krimin, i vetmi që është kthyer është vëllai i Kryeministrit dhe shoqëria e tij!!!” ,-shkruan Këlliçi.
