Eksperti i ADN-së dëshmon në rastin “Ibër-Lepenc”: Analizat u kryen

0%

Dëshmitari Fatmir Ademi, drejtor i Departamentit për Kimi dhe Biologji në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ka deklaruar se ekspertiza e ADN-së në rastin e sulmit ndaj kanalit “Ibër-Lepenc” është realizuar në laboratorët vendorë, ndërsa rezultatet janë dërguar në Itali për interpretim për shkak të mungesës së një softueri të specializuar.

Gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Ademi sqaroi se mostrat nuk janë analizuar në Itali, por vetëm janë dërguar rezultatet e përpunuara për një vlerësim shtesë profesional. “Ekspertiza është kryer në laboratorin e Prishtinës. Në Itali janë dërguar rezultatet për interpretim për shkak të mungesës së softuerit që nevojitet për analiza të caktuara”, deklaroi Ademi.

Ai bëri të ditur se provat janë pranuar përmes procedurave zyrtare dhe janë trajtuar sipas rregullave të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë. Sipas tij, gjatë punës në këtë rast janë analizuar rreth 50 prova të ADN-së, ndërsa shtatë prej tyre kanë qenë të mbledhura drejtpërdrejt nga vendi i shpërthimit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

I pyetur nëse në këto prova ishte gjetur përputhje me të pandehurin Dragisha Viqentijeviq, Ademi tha se një gjë e tillë nuk ishte konstatuar. Rasti lidhet me sulmin ndaj kanalit “Ibër-Lepenc” në nëntor të vitit 2024, ku Prokuroria Speciale pretendon se një grup personash ka vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv TNT në afërsi të infrastrukturës kritike në Zubin Potok.

Sipas aktakuzës, dëmtimi i kanalit kishte rrezikuar furnizimin me ujë dhe energji elektrike në Kosovë, ndërsa dëmi material është vlerësuar në mbi 376 mijë euro. Për këtë rast akuzohen vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, të cilët përballen me akuza për vepra që lidhen me rrezikimin e rendit kushtetues, terrorizëm dhe armëmbajtje pa leje.

Të akuzuarit kanë mohuar përgjegjësinë për veprat që u ngarkohen. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com