Boksieri britanik Anthony Joshua ka ndarë me ndjekësit e tij momente të veçanta nga përballja me Kristian Prengën, duke vënë në pah respektin e ndërsjellë dhe miqësinë e krijuar pas duelit në ring.
Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, Joshua shfaqet me flamurin shqiptar mbi supe, ndërsa në një moment tjetër shihet në shoqërinë e familjarëve të Kristian Prengës, të veshur me kostume tradicionale shqiptare. Kampioni britanik theksoi se vlera më e madhe që sjell sporti nuk është vetëm fitorja, por respekti që ndërtohet mes kundërshtarëve.
“Gjëja më e madhe që krijon sporti nuk është gjithmonë fituesi, por respekti i ndërsjellë mes personave që kanë fituar respektin e njëri-tjetrit. Kjo është trashëgimia e vërtetë e sportit”, ka shkruar Joshua. Në videon e publikuar, Joshua u shprehu mirënjohje edhe prindërve të Kristian Prengës për mundësinë që pati të përballej me djalin e tyre.
“Dua t’ju falënderoj që më dhatë mundësinë të luftoj me djalin tuaj. Ishte një ndeshje e madhe. Të dy dhamë më të mirën dhe ju vlerësoj juve, ekipin dhe Prengën”, u shpreh Joshua. Nga ana tjetër, edhe Kristian Prenga pati fjalë vlerësuese për kundërshtarin e tij, duke e cilësuar një legjendë të boksit dhe duke e ftuar të vizitojë Shqipërinë. “Jam krenar që ndava ringun me ty.
Të kam thënë se je legjendë. Të uroj më të mirën ty dhe familjes tënde. Je i mirëseardhur në Shqipëri, e ke një shtëpi të dytë aty”, ka thënë Prenga. Kujtojmë se Anthony Joshua e fitoi duelin ndaj Kristian Prengës me nokaut në raundin e dytë, pasi boksieri shqiptar i rezistoi me sukses një raundi të parë mjaft intensiv. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
